Ahmet Pasha: Pengu i Pirro Manit – dramat që nuk iu vunë në skenë

Tiranë, 6 qershor 2021 – Aktori Ahmet Pasha, njëri prej aktorëve të preferuar të regjisorit Pirro Mani, i cili u ndanga jeta pak ditë më parë, ka folur për miqësinë e tyre dhe për bisedat e tyre të fundit.

Në një intervistë për Televizionin “News24” dhe portalin “BalkanWeb”, ai ka rrëfyer për shoqërimin dhe bashkwpunimin me Pirro Manin, që nga takimi i tyre i parë, në Institutin e Lartë të Arteve, deri te biseda e fundit me telefon, kur bashkëshortja e të ndjerit, Pavlina, kishte shpjeguar fjalët e mjeshtrit të skenës, të cilat mezi kuptoheshin.

Pasha ka folur edhe për pengjet që kishte artisti i madh. Ndër pengje të tjera, ai veçon dramat e Pirros që nuk u vunë në skenë asnjëherë.

“Kush është ai artist që ka jetuar në komunizëm e nuk ka pengje. Mjaft që vije në skenë jo pjesët që doje, por pjesët që i përzgjidhte komisioni i kontrollit. Pirro Mani i pati shkruar disa drama, të cilat donte që t’i viheshin në skenë. Nuk ia vunë. Para se ai të ikte në SHBA, po punonim në një dramë të tijën. E kishim pothuaj në fund të provave në tavolinë dhe, siç dukej, do  të ishte shumë e mirë si shfaqje. Tema ishte aktuale, e vitit 1992. Trajtoheshin problemet dhe ato që i kishim kaluar. Unë, madje, i kisha disa pjesë ku e imitoja Enver Hoxhën. Por, Pirro Mani iku dhe teatri shqiptar humbi shumë”, ka thënë ai.

Ahmet Pasha ka folur edhe për raportet në punë mes Pirro Manit dhe bashkëshortes së tij, Pavlina Manit. Ai ka thënë se Pirro sillej me Pavlinën sikurse me gjithë aktorët tjerë. Madje, sipas tij, Pirro i hynte në hak Pavlinës.

“Pirro është në borxh me Pavlinën sepse shpesh, për të shmangur fjalët, nuk i jepte rolet e vendin që meritonte sepse Pavlina ishte aktore shumë e mirë”, ka thënë ai.

Pasha ka folur edhe mbi ndikimet ideologjike në film dhe në teatër. Ai ka thënë se ideologjia, e cila ishte kudo, kandikuar në cilësinë e veprave artistike.

Pasha e ka cilësuar Pirro Manin mjeshtër të skenave masive dhe të ndërtimit të karaktereve, Ai ka treguar se Pirro edhe zvarritej në skenë për të shpjeguar çfarë kërkon nga roli.

Ahmet Pasha ka foluar edhe për pasionet e Pirro Manit – që nga peshkimi e deri te gjimnastika, kur ishte i ri. Ai ka thënë se Pirro do të mbahet mend për thjeshtësinë e tij në komunikim, për batutat dhe mençurinë.

“Arti që mundi të krijonte në kohë censure e krijuan mitin e Pirro Manit, si artist i pathyeshëm në teatrin shqiptar”, ka thënë aktori Ahmet Pasha, mik i mirë i të madhit Pirro Mani.

(r.m.) 

Comment

*