AI kërkon tërheqjen e padive ndaj veprimtarëve mjedisorë në Kosovë

Londër / Prishtinë, 29 qershor 2021 – Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International i bëri thirrje kompanisë ‘KelKos Energy” e cila është përgjegjëse për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur mjedisore në pjesën perëndimore të Kosovës, të tërheqë paditë ndaj veprimtarëve që janë vënë në mbrojtje të mjedisit.

Në qershor të vitit 2020 kompania Kelkos Energy – përgjegjëse për hidrocentralet në qytetin e Deçanit në Kosovë, akuzoi aktivisten Shpresa Loshaj për përpjekje për të dëmtuar reputacionin e kompanisë me “deklarata të pavërteta”, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim, kërkim falje publike si dhe përmbajtje nga deklarimi i, siç thuhet, “fakteve të pavërteta” në lidhje me kompaninë në të ardhmen. Në janar të vitit 2020, Kelkos Energy paditi edhe aktivistin, Adriatik Gacaferi për një postim në rrjetin social Facebook në të cilin ai kritikoi operacionet e kompanisë, duke kërkuar tërheqjen e shkrimit të tij dhe 10 mijë euro dëmshpërblim.

“Dy aktivistë të mjedisit janë duke u përballur me akuza të pabaza për shpifje, të cilat janë të dizajnuara për t’i frikësuar dhe heshtur ata. Kërkojmë nga Kelkos Energy, e cila është përgjegjëse për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur mjedisore në pjesën perëndimore të Kosovës, të tërheq akuzat kundër Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferit, aktivistë që kanë folur hapur kundër efekteve që shkaktojnë në mjedis projekte të tilla”, thuhet në reagimin e Amnesty International.

Në komunikatën e organizatës thuhet se Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi kanë bërë fushatë të palodhshme për të ngritur shqetësimet lidhur me efektet mjedisore në zonën e mbrojtur të rajonit të Deçanit.

“Këta aktivistë guximshëm kanë mbrojtur komunitetin e tyre dhe mjedisin e tyre, ndërsa paditë e Kelkos Energy duket se janë një përpjekje cinike për t’i heshtur ata”, thotë Jelena Sesar, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor në Amnesty International.

“I bëjmë thirrje Kelkos Energy t’i tërheq këto akuza dhe u bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë të sigurojnë që mbrojtësit e mjedisit mund të shprehin shqetësimet e tyre pa frikë nga hakmarrja”, thotë ajo.

Amnesty International ka analizuar ankesat e Kelkos Energy, mbrojtësve të aktivistëve dhe informacione shtesë publike dhe ka ardhur në përfundimin se këto padi janë “Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike”, të njohura si SLAPP.

SLAPP është lloj padie që synon censurimin e atyre që ekspozojnë keqpërdoruesit e pushtetit, posaçërisht qeveritë dhe korporatat. Këto lloj padish po bëhen çdo herë e më shumë pengesë në punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve në Evropë, thekson organizata.

Por, kompania Kelkos Eergy i tha organizaztës se paditë janë mundësia e fundit për të mbrojtur veten dhe nuk janë të ashtuqujtura SLAPP.

Rrjedha e lumit Lumbardh në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në çështje përplasjesh në mes të atyre që synojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit. Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin e mbrojtësve të mjedisit dhe protestat e banorëve.

(Zëri i Amerikës)