Akademiku shqiptaro-britanik Gëzim Alpion nderohet me ‘Medaljen Nënë Tereza’

Tiranë, 27 Korrik 2021 – Studiuesit shqiptaro-britanik Gëzim Alpion, sociolog në Universitetin e Birminghamit në Angli, i është akorduar ‘Medalja Nënë Tereza’ nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.

Sipas dekretit No. 13163 të datës 14 Korrik 2021, dekorimi është në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e çmuar akademik të Alpion në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit, si dhe promovimin e Shën Nënë Terezës duke e lartësuar nivelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë botën. Alpion, thuhet më tej në dekret, është vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nënë Terezës dhe si një ndër njohësit më inteligjentë dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare.

Medalja Nënë Tereza’ është një nga çmimet më të larta që akordohet nga Presidenti i Shqipërisë. Disa nga personalitetet e huaja që janë nderuar me këtë çmim ndër vite përfshijnë Kryeministrin e Italisë Massimo D’Alema, Presidentin e Kroacisë Stjepan Mesić, Presidentin e Lituanisë Valdas Adamkus, Presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli, Mary Jean Eisenhower, Kryetare e Programit ‘People to People International’ (PTPI), i krijuar në vitin 1956 nga gjyshi i saj Presidenti Dwight D. Eisenhower, dhe Sam Brownback, Ambasadori i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare.

Kjo është rradha e dytë që Alpion nderohet në Shqipëri. Në vitin 2019, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i akordoi Alpion çmimin ‘Ambasador i Kombit’.

Comment

*