Akademiku Vasil S. Tole promovon librin e ri “Banda kombëtare “Vatra”

Në Tiranë u promovua libri “Banda kombëtare “Vatra””, një histori unike shqiptaro-amerikane” e autorit akademik Vasil S. Tole, botim i Akademisë së Shkencave.

Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të pavarësisë me Kongresin e Lushnjës dhe në mënyrë të veçantë me ngritjen më këmbë të popullit për t’i marrë në duar fatet e vendit, me përpjekjet e suksesshme për rikthimin e Korçës dhe Shkodrës nën sovranitetin e shtetit shqiptar dhe me luftën heroike të popullit të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Si autor i librit jam shumë falenderues, duke filluar me Akademinë e Shkencave që e çmoi e para këtë studim duke e botuar atë si dhe për të gjitha ata që më mundësuan me ndihmesën e tyre, sado modeste, shkrimin e këtij libri. Se cilët janë i gjeni tek pjesa e Falenderimeve në fillim të librit”, tha Tole në fjalën e tij falenderuese gjatë promovimit të librit.

“Jam falenderues për të gjithë ju që sot bëtë të mundur promovimin e tij, duke filluar me kumtuesit: prof. dr. Zana Shuteriqi, muzikologia jonë e njohur e cila më ka qëndruar afër prej kohës kur më drejtoi në studimet e doktoraturës në fillim të viteve 1990, e deri më sot; dirigjentin kapiten Altin Babameton dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura që vazhdon traditën e Bandës Kombëtare Vatra duke mos e lënë të shuhet zjarrin që vatranët ndezën në vatrën e muzikës në Shqipëri; historianin prof.as dr. Zaho Golemi dhe Kristaq Ballin dhe dardharët për atdhedashurinë e tyre emblematike për vendin”, u shpreh akademiku Tole.

“Jam shumë falenderues në mënyrë të veçantë për përshëndetjet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo nga Federata VATRA prej kryetarit të saj Elmi Berisha dhe prej familjarëve të familjes Nassi dhe Tsika, përkatësisht Joy Bartlet dhe Pol Tsika, për të cilat ndihmoi familjari i tyre në Shqipëri Arian Cika, prezent në sallë. Faleminderit gjithashtu për dr. Mikaela Minga për drejtimin e këtij aktiviteti”, vijoi Tole.

“Jam falenderues edhe për ju të dashur të pranishëm. Përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, të ministrive dhe institucioneve të tjera të rëndësishme. Për prezencën në sallë të ushtarakëve tanë. Se ishte ushtria shqiptare ajo që e bëri pjesë të saj Bandën Kombëtare Vatra dhe drejtuesin Thoma Nassi duke i trajtuar ata me dinjitet si ushtarakë artistë, me ligj të veçantë dhe që sot pranë saj zhvillon veprimtarinë e saj Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të RSH; Për përfaqësuesin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësi Astin, se vatranët e Bandës Kombëtare ishin njëherazi edhe atdhetarë edhe besimtarë, të bekuar nga mësimet dhe drejtimi i Peshkop Fan S. Nolit”, tha Tole.

“Për ju qytetarë amerikanë që jini sot këtu, duke na kujtuar se vatranët ishin dhe mbeten urë e patundur e marrëdhënieve të forta shqiptaro-amerikane dhe nxitës së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në vitin 1922 e deri më sot. Për ju kolegë akademikë dhe profesorë që më nderoni me pjesëmarrjen Tuaj dhe njëherazi më frymëzoni mua dhe dhjetra e qindra të tjerë me kontributin që jepni në fushat tuaja të ekspertizës përmes botimeve, studimeve, leksioneve dhe veprimtarisë suaj publike”, shtoi Tole.

“Për gjithë ju të pranishëm të tjerë, familjarë të pjesëtarëve të Bandës Kombëtare Vatra, miq e shokë të mijë të jetës e të punës, artistë e dashamirës të muzikës, qytetarë e studente që më kini nderuar pa masë me pjesëmarrjen Tuaj”, përfundoi ai.

Banda “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare. Kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani, i dha identitet kësaj lufte.

Autori i këtij studimi ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”, duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë shtetërore, ndryshimet që solli në rrjedhat e historisë sonë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve më 1922.

Kjo monografi është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të qeverisë së Sulejman Delvinës. ATA

Comment

*