Aktori i ri shqiptar në shfaqjen e vlerësuar nga “Boston Globe”

“U linda në një kuti këpucësh, do të vdes në një kuti këpucësh”, janë fjalët e B (luajtur nga aktori James Barton) një nga pesë ose gjashtë personazhet e “Realizmit real” (Real Realism) që po shfaqet nga trupa teatrale avangardiste “Weazel Artistic”, siç bëri të ditur këtë javë gazeta më e njohur e qytetit “Boston Globe”.

Në shfaqjen me regjizore Vanessa Gilbert, merr pjesë edhe aktori i ri shqiptaro-amerikan, Alex Dhima, për të cili gazeta “Illyria” ka shkruar edhe më parë, gjatë këtij viti.

Shfaqja pati premierën e saj botërore në Factory Theatre, në lagjen South End të Bostonit dhe tërhoqi vëmendjen e kritikëve të njohur. Dramaturgja është shkrimtarja Charlotte Meehan.

Personazhet në vend të emrave, rreshtohen në listë me inicialet: A, B, C, D dhe E, ndonëse më vonë kuptohen edhe emrat e tyre përkatës.

Ndonëse të gjithë janë bashkë në skenë, duket sikur flasin vetëm për vete. Një kritik i krahason me pacientët në divanin e terapisë së psikiatrit, pavarësisht se janë në lëvizje. Përshtypja që krijohet me kalimin e kohës është se kanë ngecur në një hapësirë të kufizuar nga e cila nuk dalin dot, të paktën jo pa zgjidhur problemet që kanë e me të cilat nuk janë përballur.

Alex Dhima është vetëm 10 vjeç dhe bën daljen e tij të parë në një skenë të këtij niveli. Ai është djali i një prej personazheve D (Darla). Ai vetë quhet C (Charlie) dhe shfaqet në skenë duke duke lexuar revistën e njohur “National Geographic”, përplas një top në mënyrë ritmike, bn foto me një aparat fotografik njëpërdorimësh dhe flet për teorinë e stringjeve.

Personazhet e një skene por që farë mirë mund të ishin të gjithë më vete në skena të ndryshme nga mungesa e lidhjes që tregojnë ndaj njëri-tjetrit. E përshkruar si një komedi epiko-tragjike, kritikët thonë se shfaqja është tipike e kësaj dramaturgeje. Pa një skenar të drejtpërdrejtë, po me shpërthime dhe zhytje në absurd.

Disa javë më parë, djaloshi shqiptaro-amerikan, Alex Dhima, fitoi Çmimin Aktori Më i Mirë, në Campus MovieFest (CMF). Për rolin në filmin me metrazh të shkurtër “Wishbone”, në të cilin ka rolin e një djali i cili keqtrajtohet nga fëmijë të tjerë në shkollë.

“Real realism” është vetëm shfaqja e parë e një trilogjie nga Meehan dhe regjizorja Gilbert.