Akuzat ndaj “grupit të Drenicës” tematizohen në Kuvend

 Rexhep Selimi: EULEX-i nuk ofron drejtësi – Blerta Deliu: “Kjo ka për qëllim komprometimin e UÇK-së”

 

Prishtinë, 30 maj 2013 – Inicimi i procedurës penale ndaj shtatë ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës, të cilët dyshohen për krime lufte, është bërë temë edhe në Kuvendin e Kosovës. Në fillim të seancës plenare të Kuvendit, të enjten, disa deputetë e kanë ngritur shqetësimin lidhur me atë që ata e kanë quajtur si përpjekje për njollosjen e UÇK-së.

Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka deklaruar se “tendenca për të fajësuar udhëheqësit e UÇK-së, më shumë se kurrë më parë, tregon tendencën për njollosjen e gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm individëve”.

Selimi ka shprehur bindjen se “në emër të drejtësisë po njolloset e kaluara e lavdishme e UÇK-së”, dhe ka kërkuar që në Kosovë të vendoset drejtësia për të vrarët, të masakruarit e të pagjeturit në Kosovë, si edhe për shtëpitë e djegura e pasuritë e vjedhura nga Serbia.

Deputeti i Vetëvendosjes e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se “nuk po i del në mbrojtje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ndërsa EULEX-in e ka akuzuar se “nuk po ofron drejtësi”.

“Kosova do të jetë mirë vetëm kur të mbetet pa qeverinë dhe EULEX-in”.

Edhe Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka kritikuar prokurorinë e EULEX-it për ngritjen e akuzave ndaj ish-pjesëtareve të UÇK-së. Ajo ka thënë se kjo “ka për qëllim komprometimin dhe kriminalizimin e luftës së UÇK-së”.

Për arrestimet e fundit të “Grupit të Drenicës” ka folur edhe Sala Shala–Berisha.

Comment

*