Albana Krasniqi, shqiptarja e Amerikës që ka shpëtuar qindra fëmijë në Kosovë

E nderuar nga Presidentja Vjosa Osmani me Medaljen “Shën Tereza”, bashkë me organizatën “Gift of Life International” dhe mjekun Mazllum Begu – për punën humanitare që fëmijët e lindur me defekte në zemër t’u mundësohet operacione kirurgjike jetëshpëtuese

Nga Ruben Avxhiu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dekoroi këtë javë me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” organizatën “Gift of Life International”, mjekun Mazllum Belegu dhe humanisten shqiptaro-amerikane Albana Krasniqi.

Të tre janë elemente vendimtare të një pune të madhe që ka shpëtuar jetët e qindra fëmijëve në Kosovë.

Organizata “Gift of Life International” (zgjatimi ndërkombëtar i organizatës amerikane me të njëjtin emër “Dhurata e Jetës”) ka një histori të gjatë prej disa dekadash në shërbim të fëmijëve në SHBA dhe në mbarë botën që nuk kanë mundësinë të ndërhyrjeve kirurgjikale për problemet në zemër, sidomos ata me defekte që nga lindja. Prof. Dr. Belegu është mjek pediatër që përfaqëson këtë organizatë në Kosovë.

Për shkak të problemeve të mbartura prej prapambetjes nën Jugosllavinë e vjetër, nga apartejdi i Serbisë së Millosheviqit, nga shkatërrimi i luftë, dhe periudha e vështirë ekonomike që ka pasuar, me mungesë investimesh, emigrim të profesionistëve, dhe korrupsion, shumë shërbime e kushte mjekësore në Kosovë lënë shumë për të dëshiruar.

Viktima të kësaj gjendjeje janë edhe fëmijët e lindur me probleme në zemër, për të cilët për vite me radhë kanë munguar kushtet dhe personeli për të kryer ndërhyrjet e ndërlikuara që kanë kërkuar rastet e tyre.

Këtu filloi angazhimi i shqiptaro-amerikanes Albana Krasniqi, e cila pasi kishte mësuar për punën e organizatës “Gift of Life” ishte takuar me udhëheqësit e saj për të mësuar se pse numri i fëmijëve nga Kosova që ishin ndihmuar ishte aq i vogël.

I thanë se numri pasqyronte fondet e mbledhura. Për Albanën, kjo ishte e papranueshme. Ajo ishte e bindur se nëse shqiptarët e Amerikës do të dinin më shumë për këtë nismë, ata do të ndihmonin me gjithë zemër. Ajo trokiti çdo derë dhe thirri këdo që njihte. Shkoi edhe përtej komunitetit. Mobilizoi gjithëkënd në jetën e saj.

Vetëm gjatë atij viti ajo mblodhi kaq shumë fonde saqë u sponsorizua udhëtimi i një grupi mjekësh në Kosovë, të cilët vizituan dhe kontrolluan gjendjen e mbi 120 fëmijëve të Kosovës. Nga këta zgjodhën, operuan, mjekuan e shpëtuan 33 prej atyre që vuanin nga sëmundjet e zemrës. Ndryshimi ishte i jashtëzakonshëm.

Si bën të ditur televizioni “News 12”, në më pak se një dekadë, Albana ka arritur të mbledhë mbi gjysëm milion dollarë që kanë shpëtuar gati 250 fëmijë, të gjithë në moshën 5-vjeçare. Bëhet fjalë për operacione që në SHBA janë shpesh rutinë, por që në Kosovë vogëlushët e lindur me probleme në zemër kanë humbur jetën për shkak të pamundësisë për t’u operuar.

Pamje nga emsioni kushtuar Albanës në kanalin televiziv “News 12”

“Organizata jonë ka bërë 10 misione në Kosovë, 6 nga këto kanë qenë misione kontrolli mjekësor apo diagnostifikimi ndërsa 4 të tjera misione ku janë kryer operimet e zemrës në Prishtinë”, tregon Albana për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York.

Duke shpjeguar se si realizohet identifikimi i fëmijëve në nevojë, ajo tregon se është Klinika e Pediatrisë në Prishtinë që u jep një listë fillestare me fëmijët që vuajnë nga zemra dhe që mund të kenë nevojë për ndihmën e specialistëve nga jashtë. Pastaj janë mjekët e ekipit të financuar nga Gift of Life International që i vizitojnë dhe kryejnë kontrollet mjekësore për secilin prej tyre për të përcaktuar se kush janë ata që kanë nevojë për operacion dhe çfarë lloj operacioni.

“Zgjedhja e fëmijëve bëhet në bazë të diagnozës së tyre”, thotë Albana. “Domethënë së pari u jepen përparësi atyre që janë më të rrezikuarit dhe rastet kur defektet në zemër janë më të komplikuara”.

Albana aktualisht punon si analiste financiare në Manhattan dhe angazhimi i saj në këtë punë është tërësisht vullnetar. Jo vetëm që nuk fiton nga kjo punë e madhë që bën, por paguan nga xhepi i saj të gjitha shpenzimet e udhëtimeve që organizohen për shpëtimin e fëmijëve.

Nga një anë shpërblimi i vërtetë i kësaj pune është gëzimi dhe kënaqësia që jep shpëtimi i zemrave dhe jetëve të vogla që deri dje dukeshin pa shpresë.

Por barra emocionale dhe pesha e përgjegjësisë nuk janë të lehta. Si çdo ndërhyrje kirurgjikale edhe këto në zemër vijnë me rreziqe të mëdha. Ekziston gjithmonë rreziku i ndërlikimeve e disa defekte e sëmundje janë më të rënda se të tjerat.

“Këto misione janë të shoqëruar me një varg emocionesh, frikë, shpresë, dhembje e gëzime”, tregon Albana pas kthimit në New York prej vizitës më të fundit në Kosovë. “Nuk është aspak e lehtë të mbash mbi supe barrën e jetës së femiut të dikujt që po mundohesh ta ndihmosh”.

Ajo dhe organizata “Gift of Life International” bëjnë gjithshka që nevojitet për të siguruar suksesin e këtyre operacioneve.

“Jemi shumë të kujdesshëm në perzgjedhjen e kardio kirurgëve dhe të gjithe stafit mjeksor që shkon në Kosovë”, thotë ajo.  

“Kërkohet një punë e një angazhim i madh për t’u realizuar këto misione duke ditur se për të mbledhur një ekip prej mbi 25 vetave nuk është e lehtë, pastaj organizimi i udhëtimit, vendosja e tyre në Prishtine, dërgimi i paisjeve për femije dhe medikamenteve por kur dihet qellimi i mirë për të shpëtuar jetë, tejkalohet çdo gje e harrohen çdo vështirësi”.

Ku kryen këto operacione. Si shpjegon Albana, deri në vitin 2018, me shpenzimet e organizatës fëmijët i sillnin këtu në SHBA pët t’i operuar. Në raste të caktuara janë dërguar edhe në shtete të tjera si Korejë e Jugut, Izraeli, Italia, Zvicra etj.

“Që nga viti 2019 ekipet mjekësore shkojnë në Kosovë dhe operojnë atje”, thotë Albana. “Ekipet mjekësore janë të ndryshme nga misioni në mison. Një herë ka shkuar ekipi nga Los Angeles Children’s Hospital, herë nga Genoa, e Italisë, nga Albany Children’s Medical Center etj”.

“Disa nga këto operacione janë shumë të lehta, por pa to këta fëmijë nuk do të jetojnë gjatë, prandaj puna jonë do të vazhdojë deri sa këto operime të mund kryhen nga mjekët në Kosovë”, thotë ajo.

Nuk është e lehtë për një vend si Kosova të bëjë përparime në këtë fushë ku shpesh kanë mungesa edhe vende shumë më të zhvilluara.

Shumë shqiptaro-amerikanë e kanë pritur me gëzim lajmin e emërimit të Dr. Rifat Latifit si ministër të Shëndetësisë në Kosovë. Albana, e cila e njeh doktorin e njohur, i uron punë të mbarë dhe ka besim te aftësitë e tij. Por e nënvizon se sfidat që do të ketë përballë janë shumë të mëdha. Disa madje nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shëndetësinë, si korrupsioni, rregulloret që përcaktojnë veprimtarinë e sektorit privat dhe atij publik, e probleme të tjera të infrastrukturës etj.

Thjesht fakti që rreth 400 fëmijë në vit lindin me defekte në zemër është tregues se kushtet e shëndetësisë në vend lënë shumë për të dëshiruar, shpjegon ajo.

Biseda me Albanën erdhi pas dekorimit të saj në Kosovë me Medaljen Nënë Tereza, nga Presidentja Osmani. Në vite kemi parë shumë figura të komunitetit tonë që janë nderuar në atdhe për jetën dhe veprën e tyre. Pak prej tyre e kanë merituar kaq shumë sa veprimtarja humanitare që lufton për të shpëtuar sa më shumë jetë vogëlushësh. Kur mendon se rreth 400 fëmijë lindin çdo vit në Kosovë me defekte në zemër është vërtet një garë me kohën. Sa më shumë kalon koha, aq më vështirë e aq më vonë mund të jetë për t’i shpëtuar. Koha ecën shpejt por edhe Albana nuk ka ndërmend të ndalet.

“Kur njeriu bën punë vullnetare, e bën nga zemra e jo per dekorime, por kur të vleresohet puna është një ndjenjë jashtazakonisht e mirë”, thotë Albana, pas dekorimit në Presidencë. “E kur vlerësimi vjen nga instancat më të larta të vendit tënd, është akoma më e çmueshme”.

Të bën përshtypje që ajo vijon ta quajë Kosovën “vendin e saj”, pavarësisht nga suksesi në jetën profesionale dhe vendi i respektuar që ka zënë në shoqërinë amerikane. Për të çdo sukses në jetë ka qenë një mundësi më shumë për të dhënë diçka për vendlindjen e saj, Kosovën.

“Si duket ne Shqiptarët e kemi në gjak që të kontribuojmë për vendin e lindjes”, thotë ajo.

E pyetur se ku e gjen frymëzimin, Albana thotë se “më së shumti është buzëqeshja e fëmijëve kur shërohen. Nuk ka ndjenjë më të mirë se sa të jesh pjesë e një ekipi që shpëton jetë. Përqafimet e uratat që marrim nga prindërit e familjarët e fëmijëve të bëjnë që të vazhdosh e të ndihmosh edhe më shumë fëmijë e të gezosh edhe më shumë familje”.

“Dekorimi që më është nga Presidentja e Kosovës ka nje vlerë të veçantë per mua,” thotë ajo. “E para se është nga një grua e zonja dhe udhëheqëse jashtëzakonisht e mirë e vendit. Ajo është një model i mirë për të gjitha vajzat e Kosovës”.

Titulli i dekoratës “Shën Tereza” për punë humanitare e bën edhe më të veçantë këtë mirënjohje, thotë me emocion Albana.

Ndonëse kjo punë është e përqendruar në Kosovë, ka pasur plot raste që shqiptarë nga troje të tjera si Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi kanë sjellë fëmijët e tyre në Prishtinë për t’u ekzaminuar dhe mundësisht operuar nga specialistët e organizatës Gift of Life International.

“Kemi provuar të shkojmë edhe në Shqipëri”, thotë Albana, “dhe kemi pasur takime në MInistrinë Shëndetësisë si dhe me udhëheqësit e qendrës klinike “Nënë Tereza”, por në takime na është thënë se nuk kanë nevojë për ndihmën toëe sepse këto operime kryhen në Tiranë nga mjekët vendas. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim me Tiranën nëse ndihma jonë është e nevojshme”.

Shpëtimi i qindra vogëlushëve të dënuar me vdekje nga varfëria e prapambetja historike, është një nga ngjarjet më të bukura të kohës sonë. Kjo nuk do të ishte bërë dot e mundur pa përgjigjen pozitive të komunitetit shqiptaro-amerikan ndaj fushatës së Albana Krasniqit për mbledhje fonde. Çfarëdo që është mbledhur është shumëfishuar pastaj nga Gift of Life dhe nga Klubet bamirëse Rotary që kanë mbështetur këtë nismë. Bamirësia dhe bujaria nxisin bamirësi dhe bujari.

Një nga veprimtarët që e ka ndjekur punën e Albana Krasniqit me admirim është biznesmeni dhe veprimtari i komunitetit Harry Bajraktari që e quan Albanën “një heroinë të kohës sonë”.

“Sa me vend që u nderua me dekoratën që mban emrin e shenjtores sonë, Nënë Tereza, se në kontekstine komunitetit tonë, puna e saj për të shpëtuar jetën e fëmijëve është puna e një shenjtoreje”, u shpreh Bajraktari në një mesazh me rastin e nderimit në Prishtinë nga Presidentja Osmani.

Albana shprehet me mirënjohje të madhe për bashkatdhetarët këtu në Amerikë. Jo vetëm që kanë dhuruar fonde, thotë ajo, por kanë hapur edhe shtëpitë e tyre për të strehuar këta fëmijë dhe familjet e tyre që udhëtonin në pritje të operacioneve të vështira në zemër.

“Ndihma financiare është më e domosdoshmja”, thotë ajo, dhe dua t’i kujtoj se 98% e donacioneve shkojnë drejtpërdrejt për shërimin e fëmijve. Kushdo mund të kontribuojë sadopak, në uebfaqen e organizatës www.giftofoflifeinternational.org”.