Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit kërkon anulimin e marrëveshjes për menaxhimin e qytetit antik

Tiranë, 29 maj 2022 – Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit reaguan sot në qytetin antik ndaj marrëveshjes për menaxhimi e Butrintit nga një Fondacion i përbashkët mes ministrisë shqiptare të Kulturës dhe Fondacionit shqiptaro-amerikan për Zhvillim.

Aktivistët pohuan se kanë nisur takime me komunitetet lokale pasi sipas tyre nuk ka pasur transparencë me publikun, ndërkohë që do të kërkojnë rrëzimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese.

Aktivisti Aulon Kalaja tha për Zërin e Amerikës se aleanca është krijuar të kundërshtojë mënyrën e re të menaxhimit të Butrintit.

“Bashkë me profesorë, arkeologë, intelektualë nga gjithë Shqipëria, njerëz të profesioneve të lira, studentë kundërshtojmë koncesionin për Butrintin. Qeveria ka frikë ta thotë “koncesion”, ne kemi shumë të panjohura lidhur me këtë marrëveshje. E para duhet t’i kërkojmë llogari shtetit tonë, qeverisë se përse po ia jep një fondacioni privat këtë gjë i cili do vendosë për 10 vite e ardhshme fatin e Butrintit. E dyta ka të bëjë edhe me rritjen e biletës që do shkojë në nivele të tjera siç është diskutuar ndërkohë që Shqipëria është vend i varfër. E treta kemi pikëpytje shumë të mëdha për një nga personazhet që qëndron në Bordin e Fondacionit, Richard Hodges i cili mund të jetë arkeolog shumë i mirë por ka vënë në pikëpyetje në pohimet e tij egzistencën e Butrintit dhe Sarandës si toka shqiptare, ai thotë se rastësisht janë me Shqipërinë”, thotë ai.

Zoti Kalaja thotë me tej se dy janë hapat e ndërmarra deri tani: ndërgjegjësimi i publikut dhe angazhimi i një grupi avokatësh për ta kalur cështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“I bëj thirrje Presidentit të Republikës që ta kthejë ligjin”, thotë zoti Kalaja.

Ndrësa aktivisti Andi Tepelena thotë se kundërshtimi i marrëveshjes vjen pasi shteti shqiptar heq përgjegjësinë nga menaxhimi i sitit më emblematik të Shqipërisë.

“Kundërshtia jonë si qytetarë, e ekspertëve të fushës është për këtë model menaxhimi të Butrintit. Në një farë mënyre shteti shqiptar heq përgjëgjësinë nga vetja për menaxhimin e amdministrimin e sitit më emblematik, më simbolik, më të rëndësishëm dhe më domethënës të Shqipërisë”, thotë ai.

Zoti Tepelena thotë se forumi synon të përfshihen në diskutime të gjitha grupet e interest.

“Ne po bëjmë atë që s`ka bërë Ministria e Kulturës, duke filluar nga dita e sotme me qytetarë me arkeologë në Sarandë. Në një trashëgimi të tillë kulturore nuk mund të injorohet komuniteti lokal”, theksoi zoti Tepelena.

Aktivisti mjedisor Sazan Guri tha se nga zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të Butrintit qeveria hoqi mbi 800 ha e cila tani kthehet sipas tij në një zonë ku mund të ndërtohet.

“830 ha sipërfaqe i grabitet kësaj zone të mbrojtur për t`u bërë një zonë ku mund të ndërtohet”, theksoi ai.

Avokati Zace Islami tha se marëvëshja nuk ishte bërë nën dritën e transparencës.

“Ndihemi të tradhëtuar ,të poshtëruar dhe është bërë një vendim në fshehtësi të plotë nga opinion publik”, theksoi ai.

Qeveria shqiptare ka pohuar se marrëveshja për menaxhimin e Butrinit përmes një fondacioni ka ardhur si një nevojë për mënyra të reja administrimi, dhe shteti ruan pronësinë dhe autoritetin përmes Ministrisë së Kulturës.

Ndërsa Fondacioni shqiptaro amerikan i Zhvillimit ka pohuar se pjesëmarrja e tij në fondacionin e perbashkët për Butrintin me Ministrinë shqiptare të Kulturës i kontribuon ruajtjes së Butrintit dhe zhvillimit të projekteve për 10 vitet e ardhshme.

Fondacioni shqiptaro amerikan për Zhvillim parashikon dhurimin e 5 milionë dollarëve dhe ka siguruar se Plani Menaxhimit nuk parashikon zhvillime ndërtimesh në zonën që përfshihet në këtë marrëveshje.

(Raimod Kola, Zëri i Amerikës)