Alibeaj jep dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, pas humbjes në zgjedhje

Tiranë, 17 maj 2023 – Në Shqipëri, drejtuesi i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeja njoftoi sot pasdite dorëheqjen, pas humbjes së thellë që opozita, përfshirë dhe grupimin e drejtuar prej ti, rregjistroi në zgjedhjet vendore të së dielës.

“Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja. Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet”, deklaroi zoti Alibeaj duke shtuar se e merrte këtë vendim “në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie”, duke u larguar dhe nga pozicioni i drejtuesit të grupit parlamentar.

Ai mbajti drejtimin e partisë pas dorëheqjes, marsin vitin e kaluar, të ish kryetarit Lulzim Basha, si dhe siglën e Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit e ktheu çështjen për rigjykim, duke rrëzuar vendimin e marrë vitin e kaluar nga Gjykata e Tiranës, e cila kishte njohur Kuvendin e demokratëve të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha.

Në zgjedhjet e së dielës kandidatët e kësaj partie ishin vetëm në 14 bashki të vendit, ndërsa në shumicën e Këshillave, PD u rendit e treta.

Sipas tij, “Partia Demokratike, duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, dhe se ajo duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-ën”, deklaroi zoti Alibeaj.

(Zëri i Amerikës)