Amb.Kim: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën kërcënim për të gjithë

Ambasadorja amerikane Juri Kim tha se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit

Knid Denion Ndrenika

Uashingtoni përgëzoi Shqipërinë për rolin domethënës në Këshillin e Sigurimit dhe aftësinë e bashkërendimit për çështjen e Ukrainës.

Ambasadorja Juri Kim tha në Tiranë se sulmi rus në Ukrainë do të thotë se bota është në një moment historik.

Por, sipas ambasadores Kim, gjithashtu është shumë e qartë se në kryeqytetet perëndimorë po i përgjigjen këtij çasti.

Zonja Kim në takimin e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka me Trupin Diplomatik në Tiranë shtoi se beson se që të gjithë janë në një mendje se ia vlen bashkërendimi dhe veprimi ndonëse befasues kundër agresionit rus:

“Shpreh vlerësimin për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si bashkëpenëmbajtëse e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, ndihmën humanitare, mbrojtjen, sanksionet që nuk janë pa kosto. Sulmi dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën kërcënim për të gjithë. Jemi të gjithë të befasuar me veten për shpejtësinë, vendosmërinë, këmbënguljen, seriozitetin dhe sakrificën”.

Ambasadorja amerikane Juri Kim ritheksoi gjithashtu solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas.