Ambasador Avni Spahiu thotë se Kosova bën mirë që strehon afganët

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu vlerëson se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është dashur të përshpejtojë procesin e emërimit të diplomatëve të rinj, pasi shkarkoi të emëruarit politikë, në mesin e tyre 12 ambasadorë.

Sipas Spahiut, ulja e nivelit të përfaqësimit në vende të botës nuk duhet të vazhdojë gjatë meqë mund dëmtojë raportet e Kosovës me shtetet mike. Në një intervistë për KosovaPress, ish-ambasadori Spahiu ndër të tjera flet edhe për vendimin e shtetit të Kosovës për të strehuar refugjatët afganë.

Ministria e Jashtme nuk i ka bërë të ditur ende emrat e personave të cilët synon t’i dërgojë ambasadorë në vendet ku muaj më parë i ka shkarkuar të emëruarit politikë, për çka ish-ambasadori Avni Spahiu thotë se është e pakuptueshme vonesa e Qeverisë për të përfunduar këtë proces.

Spahiu: Është e pakuptueshme vonesa për emërimin e ambasadorëve të rinj

“Është pak e pakuptueshme pse e gjithë kjo vonesë sepse ambasadorët e kthyer kanë pasur një afat prej tre muajsh që të kthehen në Kosovë dhe gjatë këtij tremujori Ministria është dashur të ketë një plan dhe të përshpejtojë këtë proces, sepse nuk varet çdo gjë vetëm nga Ministria por edhe vendet pritëse, miratimi nga vendet pritëse, por Ministria ka mundur të përshpejtojë këtë proces sa më shumë që vonohet është më keq”, thotë Spahiu.

Ambasadat prej të cilave kthehen diplomatët e shkarkuar, drejtohen nga të ngarkuar me punë deri në emërimin e ambasadorëve të rinj, që sipas Spahiut nuk duhet të vazhdojë gjatë meqë mund të ndikojë negativisht në raportet e Kosovës me vendet mike.

Spahiu: Ulja e nivelit të përfaqësimit nën nivelin e ambasadorëve nuk duhet të vazhdojë gjatë

“Të mos ketë ambasador është ulje e nivelit të përfaqësimit dhe kjo mund të ndodh për një kohë të shkurtër por sa më gjatë është aq më keq… Do të kenë një përfaqësim nën nivelin e ambasadorëve, që është zbritje e përfaqësimit, këto vende nëse vazhdon një kohë të gjatë mund të krijojnë bindjen që kjo po bëhet me qëllim nga ana e autoriteteve, sepse në diplomaci gjesti luan rol të madh, nëse ti nuk e emëron një ambasador me kohë, nëse e ul nivelin e përfaqësimit, edhe vendet mike mund të dyshojnë se diçka nuk është në rregull me raportet mes tyre, andaj duhet përfaqësim adekuat, në kohë adekuate”, shton Spahiu.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerëson se Kosova nuk duhet të mbyllë asnjë ambasadë në vendet ku tashmë përfaqësohet, madje sipas tij, ka vende të rëndësishme në të cilat Kosova duhet të hap ambasada.

Spahiu: Kosova të hap ambasada në disa vende të tjera të rëndësishme

“Ambasadat nuk është mirë të mbyllen, sepse në atë vend ku mbyllet ambasada do të ketë pasoja në raportet në mes dy vendeve, ndoshta më mirë të bisedohet se ku mund të ketë ambasada shtesë për Kosovën, nuk kemi shumë ambasada, andaj reduktimi i tyre do të ishte i pavend, ndërkohë që kemi disa vende mike shumë të rëndësishme në të cilat nuk kemi këmbyer ambasada”, thotë ai.

Lidhur me këtë çështje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se me reformat në shërbimin e jashtëm do të rishikojnë prezencën e Kosovës me ambasada apo konsullata.

Por ish-ambasadori Avni Spahiu vlerëson se reformat në shërbimin e jashtëm janë të nevojshme për përgatitjen e diplomatëve të cilët deri tani, sipas tij, nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ai thotë se diplomacia e zbehtë dhe joefikase është rezultat i diplomatëve jo të përgatitur mirë.

Spahiu: Duhet të bëhet përgatitja e diplomatëve

“Përfaqësimi 70 me 30 në dobi të diplomatëve të karrierës është i paqëndrueshëm, duhet të kthehet ashtu siç ka qenë 50 me 50, me sa marr vesh është një ligj i cili po pret të kalojë në këtë aspekt, të paraqitet në parlament, por jo vetëm këtë, duhet të ketë edhe ndryshime të tjera, përgatitjen e diplomatëve, sepse edhe diplomatët nën nivelin e ambasadorit nuk i kemi pasur në nivel deri më tash, jam plotësisht i bindur në këtë sepse vet kam pasur raporte të tilla nëpër ambasada dhe e di sa është kapaciteti i diplomatëve, natyrisht jo të gjithë, por të kemi një përzgjedhje sa më të mirë në këtë aspekt duke marrë parasysh kriteret profesionale dhe asnjë kriter tjetër”, thotë Spahiu.

Për KosovaPress, ish-ambasadori i Kosovës në Ankara ka folur edhe për vendimin e shtetit për strehimin e refugjatëve afganë, të cilët po largohen nga Afganistani pasi talebanët kanë marrë kontrollin e vendit. Sipas tij, strehimi i refugjatëve afganë në Kosovë nuk paraqet asnjë rrezik për shtetin.

Spahiu: Strehimi i refugjatëve afgan nuk paraqet rrezik për Kosovën

“Absolutisht nuk ka ndonjë rrezik në aspektin e sigurisë sepse ky kontingjent i njerëzve që do të merren këtu përbëhet kryesisht nga pjesëtarë të shoqërisë civile, nga gra, fëmijë, të cilët kanë punuar në ndërtimin e demokracisë në vendin e tyre, bashkë me amerikanët dhe kështu janë të rrezikuar. Ata nuk paraqesin ndonjë rrezik edhe nga fakti që ata nuk do të strehohen këtu përgjithmonë, është një kohë tranziti për ta, para se të përpunohen të dhënat e tyre për t’u larguar nga Kosova për në SHBA. Ndërkohë që dihet po ashtu se do të ketë një proces i identifikimit të tyre dhe verifikimit përmes intervistash nga institucionet tona të sigurisë të ndihmuar edhe nga amerikanët”, thotë ai.

Spahiu shtoi se Kosova ka kapacitete të strehojë qindra refugjatë, që sipas tij, mund të vendosen në ish-objekte të KFOR-it të cilat tani janë të lira.

Spahiu: Me strehimin e refugjatëve Kosova krijon emër të respektuar

“Kjo dëshmon në dy aspekte, aspekti i parë është politik, Kosova dëshmon edhe njëherë se është me të vërtetë e vendosur në pikësynimin e saj për t’u bërë pjesë e integrimeve euroatlantike, konsideron vetën pjesë të demokracive perëndimore dhe kjo është pozitive në këtë aspekt. Nga aspekti tjetër është çështja e imazhit të Kosovës, Kosova po krijon një imazh që në aspektin humanitar, që është një vend që përkujdeset dhe ka mirëkuptim edhe për atë që ndodh në botë, që u ndodh njerëzve fatkeqësi të ndryshme dhe që është e gatshme të ndihmojë. Në këtë aspekt Kosova po krijon për vete një emër të respektuar dhe kjo nuk është pak në këtë kohë”, thotë Spahiu.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se përmes strehimit të refugjatëve, Kosova dëshmon humanizëm duke rikujtuar se shteti e ka edhe borxh moral marrjen e një vendimi të tillë për strehim marrë parasysh të kaluarën e përvuajtur të popullit të Kosovës si refugjatë.

kosovapress/rtk

Comment

*