Ambasadori britanik: Nuk janë tri ligjet kusht, por aprovimi i tyre është test për klasën politike

Forum për politikën e jashtme me temë “Flasim me Europë: E ardhmja e Britanisë në BE dhe në zgjerimin e BE-së” – “Një individ që përmbys vullnetin demokratik të popullit përmes mashtrimeve zgjedhore është tradhtar i vendit të tij”, thotë diplomat Nicholas Cannon

 

Denion Ndrenika

Qeveria britanike mendon se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit të jenë të lira dhe të drejta, një element thelbësor për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ambasadori britanik në Shqipëri, Nikolas Kenën (Nicholas Cannon) tha se mosmiratimi i tri akteve ligjorë nuk përbën kusht për integrimin në BE dhe se zgjedhjet do t’i japin shtysë antarësimit, përkatësisht marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit “kandidat”.
Zoti Kenën foli në një forum për politikën e jashtme me temë “Flasim me Europë: E ardhmja e Britanisë në BE dhe në zgjerimin e BE-së” organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në hotelin “Rogner Europapark” në Tiranë.
“Nëse zgjedhjet në qershor mbahen në rrethanat më të mira, kjo do t’i japë një shtysë të re dhe pozitive procesit të pranimit të Shqipërisë. Anasjelltas, zgjedhjet që perceptohen nga shtetet antare, si të dyshimta do ta kthejnë procesin prapa në vite”-tha ai.
Ambasadori vijoi më pas dhe tha se me rëndësi ishte se një ndër votimet e përbashkët vitin e kaluar ishte Kodi Zgjedhor, ndërsa kujtoi se “jemi duke parë zbatimit të këtij ligji testuar në praktikë”.
“Është me rëndësi jetike që të gjithë të përfshirë në këtë proces, qoftë ekspertët teknik ose partitë politike, të bëjnë gjithçka që munden për të parë se ky proces është plotësisht i lirë dhe i ndershëm dhe të perceptohet edhe nga të gjithë të përfshirët si i lirë dhe i ndershëm”-tha zoti Kenën.
Por, ndonëse nuk ka asnjë adresim ndokund për zhvillimin e zgjedhjeve, ambasadori tha se mashtrimi me to është tradhëti.
“Kemi mashtrimin e pastër zgjedhor. Një individ që manipulon qëllimisht me zgjedhjet është kriminel. Një individ që përmbys vullnetin demokratik të popullit përmes mashtrimeve zgjedhore është tradhtar i vendit të tij”-tha zoti Kenën që shtoi prerë “Kaq e thjeshtë është”!
Ambasadori veçoi gjithashtu se në çdo demokraci, ka pretekste apo paqartësi në sistem, gjë që pashmangshmërisht shfrytëzohet nga partitë deri në “kufijtë absolut me shpresën e avantazhit politik”.
“Kjo, – vijoi zoti Kenën, – gjithmonë çon në armiqësi midis partive politike. Shpesh duket keq tek publiku, dhe mund të jetë joetike në parim”. Por, sipas ambasadorit britanik “nëse qëndron brenda ligjit, nuk i bën të pavlefshme zgjedhjet demokratike”.
“E rëndësishme është të mbahen të ndarë këto dy fenomene në çdo diskutim zgjedhor. Akuzat për mashtrim, apo insinuata se masa të caktuara prishin zgjedhjet, janë të lehta për t’u bërë, por të vështira për t’u provuar apo përgënjeshtruar. Edhe në nxehtësinë e debatit të partive politike për zgjedhje me rezultat shumë të ngushtë, është e rëndësishme që të mos dëmtohet procesi zgjedhor në sytë e votuesve dhe ndërkombëtarëve. Mashtrimet duhet të denoncohen patjetër në qoftë se zbulohen, por akuzat për mashtrim nuk duhet të jenë rutinë e retorikës së zgjedhjeve”.
Sipas ambasadorit Kenën rëndësi ka gjithashtu pjesëmarrja masive në zgjedhje, që sikurse shtoi duhet nxitur nga të gjitha partitë, shoqëria dhe partnerët e miqtë e Shqipërisë, pasi e vlerëson si “një tregues i entuziazmit demokratik të popullit shqiptar”.
Ambasadori britanik analizoi ecurinë e mospajtimeve mes partive për të miratuar ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjin për Administratën Publike dhe Rregulloren e Kuvendit që janë bërë pengesë për dhënien e “Opinionit” pozitiv nga Komisioni Europian për statusin “kandidat”. Ambasadori pohoi se këto tri akte janë portretizuar ndonjëherë si qendrore në një farë mënyre për vazhdimin e procesit të pranimit të Shqipërisë, por theksoi se “është e qartë se në terma të substancës së tyre ata nuk janë” të tillë.
“Ndërsa strukturat e Gjykatës së Lartë dhe të Shërbimit Civil kanë nevojë për përmirësime, ato janë tashmë funksionale me një nivel të arsyeshëm efikasiteti. Parlamenti duket se nuk ka vështirësi në kryerjen e debate të krahasueshme me ato të antarëve të BE, edhe në qoftë se ka vend për përmirësim. Të tre ligjet janë një test lakmusi i aftësisë së klasës politike shqiptare për të vënë mënjanë debatet politike partiake në interes më të gjerë të procesit të anëtarësimit të vendit, duke votuar ligjet që ia premtuan Komisionit Evropian, por deri më tani kjo nuk ka qenë e mundur. Unë e kuptoj arsyetimin e atyre që e kanë patur të pamundur për të votuar për këtë legjislacion. Shpresoj se rrethanat do të krijohen në të ardhmen e afërt, në të cilën ky legjislacion mund të kalojë dhe procesi të rifillojë” – tha ai, por pa saktësuar çfarë kuptonte me frazën e fundit, që mund të lexohet “rezultat zgjedhor që lejon shumicën e votave në Kuvend”.

Comment

*