Ambasadori gjerman: Politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë

Prishtinë, 26 tetor 2021 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë të martën se politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë.

Duke komentuar vendimin e fundit të autoriteteve serbe, që t’ia pamundësojnë pjesëmarrjen ekipit të Kosovës në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, Rohde ka cituar reagimin e Bashkimin Evropian duke thënë se normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike.

Ai ka bërë këtë reagim duke iu referuar deklaratës së njëjtë që ka dhënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

“Parandalimi i boksierëve nga pjesëmarrja në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit shkon në drejtim të kundërt. Fatkeqësisht ky është shembull i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”, ka thënë Rohdes, në një postim në rrjetin social, Twitter.

Kampionati ka nisur në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Albin Kurti, ka thënë të hënën se, vendimi i Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit paraqet “shkelje të normave ndërkombëtare të sportit”.

“Serbia duhet ta tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi”, ka thënë Kurti në Twitter.

Më 26 tetor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka paralajmëruar se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Kosova është dashur të përfaqësohet këtë vit në Kampionat nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

(REL)

Comment

*