Ambasadori Hill: Serbia duhet të përcaktohet për të ardhmen e saj

Beograd, 13 qershor 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, më 13 qershor, deklaroi se Serbia duhet të mendojë se ku qëndron e ardhmja e saj dhe nëse “ky pozicion neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm.

Ai tha se në këtë mënyrë, Serbia duhet të marrë vendimin e vet.

Hill u tha gazetarëve në Beograd se ajo që ndodhi në Ukrainë “është sulm brutal ndaj atij vendi dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, është diçka krejtësisht e papranueshme në këtë shekull”.

Ai shtoi se një zhvillim i tillë nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bota ka ndryshuar që nga shkurti dhe se ne të gjithë duhet të mendojmë sërish se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen”, tha ai.

I pyetur se cili duhet të jetë prioriteti (për Serbinë) në këtë moment – vendosja e sanksioneve kundër Rusisë apo normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, Hill u përgjigj se këto janë çështje për autoritetet serbe.

“Unë mendoj se kjo është pyetja që duhet t’ua bëni përfaqësuesve të qeverisë suaj. Unë e përfaqësoj qeverinë amerikane këtu dhe nuk jam këtu për të dhënë këshilla, kështu që ju duhet të gjeni përgjigjet për këto pyetje te autoritetet serbe“, tha Hill.

Serbia e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka votuar për përjashtimin e Rusisë nga ky trup ndërkombëtar, por nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Zyrtarët serbë kanë thënë se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të lidhjeve miqësore me Rusinë, për shkak të varësisë energjetike nga ky vend dhe për shkak të qëndrimit të Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës.

SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian i kanë kërkuar vazhdimisht Beogradit zyrtar të harmonizojë politikën e tij të jashtme me atë të Perëndimit.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE.

(REL)