Ambasadorja Kadare kërkon përfshirjen e Kosovës në raportin e OKB-së për dhunën seksuale në konflikte

Nga Ruben Avxhiu

Njerëzimi nuk mund të lejojë më përdorimin e dhunës seksuale si një mjet lufte. Është çnjerëzore dhe duhet ndaluar ashtu si janë ndaluar ashtu si janë ndaluar një numër armësh dhe praktikash në botën e civilizuar.

Një hap i madh në këtë drejtim ishte seanca e posaçme dhe debate i organizuar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me nismën e Gjermanisë. Në debat u paraqit një raport historik nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ku denoncoheshin shembujt e kësaj praktike të turpshme.

Shqiptarët kanë arsye ta ndjekin me vëmendje këtë proces. Një nga krimet më të pandriçuara e për të cilat nuk është bërë drejtësi në Kosovë ka qenë krimi i përdhunimeve në mënyrë të organizuar dhe të qëllimshme të forcave ushtarake, policore e paraushtarake serbe. Është e papranueshme që raporti i Sekretarit të Përgjithshëm nuk e përfshiu rastin e Kosovës.

Në fjalën e saj, Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare e ngriti çështjen e kësaj mungese dhe kërkoi që Kosova të përfshihet në edicionin e ardhshëm të këtij raporti.

“Unë vij nga një rajon i cili në një të kaluar jo të largët ka përjetuar pasojat shkatërruese të dhunës seksuale, e cila është përdorur si taktikë dhe armë lufte. Këtua dua ta përmend rastin e Kosovës, ku dhuna seksuale është përdorur sistematikisht dhe qëllimshëm si armë lufte gjatë konfliktit në fund të viteve ’90“, tha ajo.

E ftuar për të folur në këtë seancë historike nga drejtuesi i saj, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass, Ambasadorja Kadare tha për Kosovën se “mbi 20.000 të mbijetuara ende sot vuajnë në heshtje, të izoluara nga stigma dhe diskriminimi. Me gjithë provat ekzistuese, asnjë rast nuk është dënuar deri më tani”.

Duke këmbëngulur se Kosova nuk mund të përjashtohet në një raport të tillë, ajo argumentoi se përfshirja do të ishte një mbështetje e madhe për të mbijetuarat që “të përballen me paragjykimet dhe turpin me të cilat hasen, si dhe do të vinte në pah përvojën e vlefshme të Kosovën në mbështjetjen e viktimave, si një shembull i mirë për rajonin dhe më gjerë”.

“Na vjen keq që Raporti aktual i Sekretarit të Përgjithshëm nuk e përmend Kosovën mes vendeve të pasluftës që vuajnë nga pasojat e krimeve seksuale dhe i bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm që ta përfshijë Kosovën në raportin e tij të ardhshëm”, tha Ambasadorja Kadare.

Shqipëria qe i vetmi vend që përmendi Kosovën në fjalimet e ditës. Shqipëria gjithashtu ka ndjekur Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit me një Plan Kombëtar të Veprimit, të aprovuar nga qeveria që në shtatori i vitit 2018, që do të promovojë veç të tjerash një pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën publike, politike si dhe në sektorin e sigurisë.

“Padënueshmëria e këtyre krimeve të marrë fund“, tha Ambasadorja Kadare në fjalën e saj, duke bërë thirrje për “tolerancë zero tolerancë ndaj përdorimit të përdhunimit si mjet luft. Vendet anëtare të OKB-së duhet gjithashtu të zbatojnë politika që stigma të mos bijerë mbi viktimat pro të zhvendoset mbi autorët e krimit”.

Një rezolutë e hartuar me kujdes fitoi me 13 vota pro si dhe me dy abstenime nga Kina dhe Rusia.

Një numër figurash publike kishin udhëtuar për të ndjekur zhvillimet dhe për të dhënë kontributin e tyre në këtë debat. Mes aktivisteve shqiptare ishte edhe ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Mes figurave ndërkombëtare më shumë vëmendje tërhoqi avokatja e njohur e të drejtave të njeriut, Amal Clooney, e cila tregoi për përpjekjen që ka bërë në emër të vajzave dhe grave jazedi nga veriu i Irakut që vuajtën përdhunime masive nga terroristët e ISIS-it. Dy javë më parë, në Gjermani, rasti i parë i drejtësisë po hapet me gjykimin e njërit prej këtyre terroristëve.

Një tjetër figurë ishte Nadia Murad, laureate e Çmimit Nobel të Paqes dhe Ambasadore e Vullnetit të Mirë të OKB-së për Dinjitetin e të Mbijetuarve të Trafikut Njerëzor.

Ish-Presidentja Jahjaga, e cila në fund të muajit është ftuar që të dëshmojë në seancën e posaçme dëgjimore kushtuar krimeve të dhunë seksuale në luftën e Kosovës, të thirrur nga kongresisti Eliot Engel në Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kongresin Amerikan, përshëndeti rezolutën e re të aprovuar nga Këshilli i Sigurimit si “një hap të mirëpritur nga të gjithë të mbijetuarit në mbarë botën”, por shtoi se ende mbetet shumë për të bërë nga shtete për të zbatuar vendimet e marra.

Ambasadorja Kadare e vlerësoi shumë angazhimin e ish-presidentes së Kosovës dhe tha se ajo “është duke bërë punë të jashtëzakonshme që t’iu japë zë të mbijetuarave të dhunimeve gjatë luftës dhe t’i luftojë paragjykimet me të cilat ballafaqohen”.