Ambasadorja Kim pas dënimit të Llallës: “Askush nuk është mbi ligjin”

Tiranë, 20 maj 2021 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dënuar me 2 vjet burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla.

Zonja Kim, në një postimnë rrjetet sociale, ka theksuar se vendimi i sotëm i GJKKO dëshmon se, siç është shprehur, “askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht se sa i fuqishëm është”.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u dënua me 2 vjet burg dhe me 5 vjet ndalim për kryerjen e funksioneve publike.

Llalla u dënua për mosdeklarim të pasurisë. Atij i janë sekuestruar edhe disa prona dhe pasuri të patundshme.

Statusi i ambasadores Kim:

Mirë që SPAK jep gjithnjë e më shumë rezultate. Kjo çështje, e cila e përfshin një ish-zyrtar të lartë të ndaluar nga SHBA për korrupsion të rëndësishëm, tregon se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht sa i fuqishëm është. Kur TË GJITHË janë të barabartë para ligjit, të GJITHË kanë dinjitet. Ky është dinjiteti i vërtetë.

(r.m.)

Comment

*