AmCham organizon Ditën e Falenderimeve

Të pranishëm në ceremoni janë ftuar komuniteti i biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, komunitetit amerikan në Tiranë dhe miqtë dhe bashkëpunëtorë si dhe mediat me familjet

Knid Ndrenika

AmCham, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri njoftoi se do të organizojë Ceremoninë e Ditës së Falenderimeve.

Ceremonia është planifikuar në datën 25 nëntor, ora 18:30 vendore në Tiranë në hotelin “Rogner”.

Të pranishëm në ceremoni janë ftuar komuniteti i biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, komunitetit amerikan në Tiranë dhe miqtë dhe bashkëpunëtorë si dhe mediat me familjet.

Presidenti i AmCham Albania, Enio Jaço do të përshëndesë në ceremoninë me elementë të Ditës së Falenderimeve sikurse festohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ushqimi tradicional e dekorimet me ngjyrat dhe elementët e kësaj feste.

Po ashtu organizatorët kanë paraparë që fëmijët të kenë hapësirën e tyre, për të ndjekur grupin e animatorëve dhe programit të përzgjedhur.

AmCham thotë se Dita e Falenderimeve dhe qëllimi i kësaj feste, ku populli amerikan shpreh mirënjohjen dhe falenderimet për çdo mundësi që kanë patur në jetë, po kthehet nëpërmjet angazhimit të Dhomës Amerikane në një traditë edhe për familjet shqiptare.

“Nëpërmjet këtij rituali, amerikanët falenderojnë Zotin për mundësinë e të qënit me familjen, për ushqimin në tavolinë, shëndetin, punët dhe jetën. Dhoma Amerikane përtej këtyre falenderimeve, në kohën e pazakontë që jetojmë, mbledh të gjithë anëtarët e saj, për t’i falenderuar për vullnetarizimin, ndjenjën e solidaritetit dhe të ndihmës që demonstruan në këto dy vite të vështira të pandemisë, duke na bërë të ndihemi në komunitet si në një familje të madhe”-, shpjgohet në njoftimin e AmCham-it.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) është një organizatë private e biznesit, e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si edhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ato ndërkombëtare.