Nga 12-21 shtatori American Jewish Congress, amb. izraelite bashkëorganizatorë të Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael

Festivali përkon me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit

Knid Ndrenika

Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael është veprimtari e jashtëzakonshme për të nxjerrë në pah artin shqiptar dhe izraelit, shkëmbimet historike ndërmjet të dy popujve popullit si dhe skenën vibruese artistike të Shqipërisë.

Ambasada izraelite në Shqipëri njoftoi se festivali që zhvillohet nga kjo e dielë 12 shtator deri në datën 21, do të sjellë një varietet eventesh dhe shfaqjesh në fushat e muzikës klasike dhe tradicionale, arteve figurative, fotografisë, letërsisë, kinematografisë, kostumografisë, e të tjerë.

Festivali përkon me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.

Organizatorët thonë se festivali do të shërbejë për të celebruar marrëdhëniet e ngrohta ndërmjet dy vendeve dhe popujve shqiptarë dhe hebre.

Në këtë festival si një nismë të veçantë të skenës kulturore shqiptare dhe ballkanike, marrin pjesë “Klezmer Orchestra” nga Izraeli, “Kuartet Harqesh” nga Filarmonia e Berlinit, Nitzan Bartana nga “Orkestra e Bazelit” (Zvicër), dirigjentja Suzana Turku “Mjeshtër i Madh”, Sivan Rotem nga Izraeli, e shumë të ftuar të tjerë të veçantë.

Ndërkaq, një pjesë e madhe e artistëve të ftuar nga jashtë vjen të performojë në Shqipëri për herë të parë.

Në prezantimin rreth orës 19 pranë Universitetit, çelet dhe do të qëndrojë tërë periudhën e festivalit, ekspozita “Streha” e piktorit Arben Golemi.

Almira Emiri është Drejtore Artistike e Festivalit dhe pianiste shqiptare e mirënjohur në arenën europiane dhe në Izrael.

Ajo thotë se festivali është një mundësi e artë promovimi për artin dhe kulturën.

“Arti izraelit dhe thesaret e kulturës botërore hebraike duhet dhe mund të jenë shumë më të pranishme në Shqipëri. Dhe anasjelltas: tradita e shkëlqyer kulturore dhe kreativiteti bashkëkohor i shqiptarëve duhet dhe mund të jetë shumë më i aksesueshëm për publikun izraelit. Duke sjellë së bashku kulturën dhe traditën nga Izraeli dhe Shqipëria, ky festival do të kontribuojë në dialogun ndërkulturor dhe ndër-breznor, si dhe të krijojë mundësi për të ushqyer tolerancë dhe diversitet”-thotë pianistja Emiri.

Si anëtare Nderi e Festivalit, Avital Leibovich njëherit Drejtore e Zyrës në Jeruzalem të Komitetit Hebre Amerikan (American Jewish Committee), ka marrë përsëri titullin “Urdhëri i Skënderbeut” nga Presidenti i Shqipërisë.

Ajo thekson mundësitë dhe shkëmbimet ndërmjet dy vendeve duke e quajtrur “unike”:

“Marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve është unike, jo vetëm prej të shkuarës, por edhe prej të tashmes. Ngjashmëritë ndërmjet nesh janë më të mëdha se diferencat dhe arti është një mjet i fuqishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve.”

Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael është një iniciativë e Qendrës Shalom në Shqipëri dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Jashtme e e Shqipërisë, Bashkia Tiranë, Ambasada e Izraelit në Tiranë, si dhe Komiteti Hebre Amerikan (American Jewish Committee) dhe Kongresi Hebre Amerikan (American Jewish Congress).