Amerika me tre parti në zgjedhjet presidenciale të këtij viti?

Rishfaqen Libertarianët, Kuvendi Kombëtar zgjedh ish-guvernatorin Gary Johnson si kandidat për President – ja se çfarë pikëpamjesh kanë ata

 

Nga Ruben Avxhiu

Partitë e treta zakonisht kanë pak rëndësi në SHBA, ku mbizotëron një sistem dypartiak, por viti 2016 po kthehet në një vit anormal zgjedhor.
Në një kohë kur shumë konservatorë e republikanë nuk janë të bindur se Donald Trump është përfaqësues i vlerave të tyre, disa po vërtisin idenë që në vend të tij të mbështesin kandidatin e Partisë Libertariane.
Kjo e fundit ka nxituar të ofrojë alternativën e saj duke zgjedhur në Kuvendin Kombëtar të partisë ish-guvernatorin e shtetit New Mexico, Gary Johnson, si kandidat të saj për president.
Në një vit normal zgjedhjesh presidenciale kandidati libertarian nuk do të përmendej në lajme, por kaq shumë i lartë është popullariteti negativ për Donal Trump dhe Hillary Clinton, saqë mendohet se Gary Johnson mund të ketë qysh tani një mbështetje prej 10-15% mes zgjedhësve. Që këtu te fitorja është një rrugë e gjatë.
63-vjeçari Johnson fitoi në raundin e dytë të votimit, ku mundi Austin Petersen, themelues i reviztës “The Libertarian Republic” (Republika Libertariane) dhe John McCafee, një emër që është shumë i njohur mes atyre që merren me industrinë e kompjuterëve, për shkak të programit të famshëm të antiviruseve dhe kompanisë me të njëjtin emër.
Kuvendi u mbajt në Orlando, Florida.
Libertarianët janë shumë më ekstremë se Republikanët kur vjen puna te disiplina fiskale dhe kufizimi i rolit të qeverisë madje edhe shtetit në shoqëri.
Për shqiptarët janë ndoshta varianti më i keq, sepse duan një SHBA sa më pak të angazhuar në botë. Për ta ndërhyrjet si ajo në Kosovë vetëm sa e bëjnë Amerikën më të dobët dhe më të rrezikuar. Ndërsa ndërhyrjet si ato në Afganistan e Irak i konsiderojnë të fundbotshme.
Ndryshe nga Republikanët, Libertarianët do të shkurtonin në mënyrë drastike fondet për ushtrinë por nga ana tjetër do të ishin shumë më tolerantë e liberalë për çështje të moralit shoqëror.
Libertarianët nuk shohin arsye serioze që qytetarët të paguajnë taksa për rrogat apo fitimet e biznesit. Të vetmen taksë që do të linin në fuqi do të ishte ajo e shitjes.
Departamentet (lexo: ministritë) e Arsimit, Tregëtisë, Shërbimi i Brendshëm i Taksave, Administrata për Ushqimin dhe Barnat si dhe Administrata për Luftën Kundër Drogës do të eliminoheshin që të gjitha nga qeveria federale.
Libertarianët mendojnë se nuk është puna e qeverisë që t’i tregojë qytetarëve se çfarë duhet të hanë dhe çfarë duhet të pinë. Kush do të drogohet është puna e tij. Ata besojnë në përgjegjësinë personale të njeriut të rritur.
Ndryshe nga Republikanët ata nuk lodhen duke luftuar për të kufizuar abortin apo të drejtat e homoseksualëve, por ndryshe nga liberalët besojnë te e drejta për të mbajtur armë.

Gary Johnson kandidoi për president nga Partia Libertariane edhe në 2012, por mori vetëm 1%. Për shkak të mbështetjes së ulët, ai nuk u lejua të merrte pjesë në asnjë nga debatet presidenciale mes kandidatëve Barack Obama dhe Mitt Romney.
Këtë vit, Libertarianët shpresojnë që nëse Johnson do të dëshmojë në të paktën 5 shtete një mbështetje mbi 15%, ata mund të hedhin në gjyq organizatorët e debateve presidenciale që të pranojnë edhe një person të tretë në to.
Duke pasur parasysh sesa pakënaqësi ka në partitë e tyre përkatëse për kandidatët Hillary Clinton dhe Donald Trump, kjo nuk është më diçka e pamendueshme. Kandidati i fundit serioz i tretë në zgjedhjket presidenciale, ka qenë miliardieri Ross Perot, në 1992.
Disa strategjistë republikanë druhen se kandidati libertarian vetëm sa do të përçajë vitën e djathtë duke ia dhuruar fitoren demokrates Hillary Clinton. Por libertarianët thonë se republikanët që mund të votojnë për ish-guverntorin nuk do të votonin kurrë për një kandidat si Donald Trump dhe se hyrja e tyre në garë do të shërbente vetëm për t’u dhënë një zë atyre zgjedhësve që nuk do të votonin fare në 8 nëntor.