Amerika nuk do të heqë dorë kurrë nga ndëshkimi i vrasësve të vëllezërve Bytyqi

Nga Ruben Avxhiu

Vetëm në gjashtë muajt e fundit, qeveria e Serbisë e ka marrë këtë mesazh në gjashtë forma të ndryshme. Një ritëm që nënvizon se kjo nuk është një çështje që do të humbasë papritur në eter.
Serbia mund të vijojë të shmanget nga përgjegjësia por personat e përzjerë në këtë krim nuk do të gjejnë kurrë paqe e nuk do të flenë më kurrë të qetë.
Ne shqiptarët sidomos, komuniteti shqiptaro-amerikan i nderon me respekt Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqin, si dëshmorë të Batalionit Atlantiku dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre vëllezërit ishin ndër ata dhjetëra djem e vajza shqiptaro-amerikane që kanë jetën e tyre të rehatshme në SHBA për të vënë në rrezik gjithshka si vullnetarë në luftën për çlirimin e Kosovës.
Ne vetëm mund ta imagjinojmë sesa e rëndë ka qenë dhe mbetet kjo tragjedi për prindërit e tyre dhe familjen. Çfarë dinjiteti në qendrimin e babait të tyre, kur një një veprimtari të organizuar nga gazeta “Illyria”, tha nga foltorja se “Gjakun e tre djemve të mi ja kam bërë hallall popullit shqiptar!” Salla e përlotur u ngrit e gjitha në këmbë.
Më së paku, kjo familje Meriton të shohë drejtësi dhe ndëshkim të vrasësve të djemve të tyre. Janë për t’u përshëndetur vëllezërit Ilir dhe Fatos Bytyqi që prej vitesh kanë zhvilluar një fushatë të palodhur për të mbajtur gjallë kërkesën dhe presionin amerikan mbi Serbinë. Duke punuar me miqtë e shqiptarëve në Kongresin Amerikan ata kanë shtuar numrin e ligjvënësve dhe zyrtarë amerikanë që e kanë përqafuar me pasion këtë kauzë të drejtë. Një rol udhëheqës kanë luajtur kongrestët Eliot Engel dhe Lee Zeldin.
Kur shkruaj se Beogradi e ka marrë gjashtë herë këtë mesazh, numëroj së pari letrën në fund të vitit nga Eliot Engel për Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo ku shpaloset mënyrë sesi SHBA mund të kushtëzojë integrimin e Serbisë në BE, me plotësimin e kërkesës për drejtësi. Pastaj, takimin në Mynih, në muajin shkurt, kur kongresistë të të dy partive, demokratë e republikanë ia bënë të qartë Presidentit Vuçiq se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ndëshkimin e vrarësve të tre qytetarëve amerikanë. Në muajin prill erdhi seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan, ku ishte ftuar të dëshmonte edhe Ilir Bytyqi. Dëshmia e tij nuk ishte e lehtë dhe ndonëse vëmendjen më të madhe e mori tema e përdhunimeve seksuale e përdorur si mjet lufte nga serbët në Kosovë, Kongresi Amerikan mësoi dhe rikonfirmoi edhe njëherë tjetër rëndësinë e kauzës së drejtësisë për vëllezërve Bytyqi. Së fundi, në Beograd, kongresisti Engel, gjatë udhëtimit të tij për të inauguruar ambasadën e re amerikane në Prishtinë, u takua me Presidentin Vuçiq dhe i kërkoi përsëri të zgjidhë çështjen e ndëshkimit të vrasësve të tre vëllezërve.
Shtoju këtyre edhe angazhimin e ligjvënësve dhe zyrtarëve amerikanë që të mos lejonin lirimin e Vlastimir Djordjeviq, pas peticionit të suksesshëm të vëllezërve Bytyqi, si dhe deklaratën e fortë të ambasadës amerikane në ditën e 20-vjetorit të vrasjes së Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit. Pra është e qartë se kjo temë nuk ka ndërmend të ikë nga agjenda sado që të përpiqen ta injorojnë autoritet e Beogradit.
Një arsye e fortë për këtë është edhe sepse kjo nuk është një temë thjesht shqiptare apo kosovare. Kjo është një çështje e drejtësisë dhe e ligjit, një çështje amerikane e ndërkombëtare. Nëse këta tre vëllezër do të ishin vrarë në luftë, situata do të ishte ndryshe. Po ata u vranë pasi lufta kishte mbaruar. Ishin tre qytetarë amerikanë që u morën peng, në mënyrë antiligjore, nga ushtarët serbë, ndërkohë që po ndihmonin fqinjët e tyre romë që donin të iknin në Serbi. Me veprimin e tyre tre vëllezërit po mposhtnin akuzat serbe të ushtarit të UÇK-së si dhunues e kriminel. Ata qenë gati të jepnin jetën për atdhe, po jo nga urrejtja për fqinjët e tyre, po nga dashuria për Kosovën.
Kur u rrestuan, ishte kohë paqeje. Lufta kishte mbaruar. Ishin tre qytetarë amerikanë të cilët sipas ushtarëve serbë kishin hyrë pa vizë në Serbi. Po ata ishin në Kosovë e ku juridiksioni i Serbisë ishte tashmë i diskutueshëm. Një gjykatë serbe u detyrua t’i lironte po duke u thënë që të largoheshin e të kërkonin vizë për të rihyrë, në mos ua ndaloi hyrjen në Serbi, si dënim. Nëse historia do të mbaronte këtu, do të ishte harruar I ngjarje. Po ata që duhej të bënin lirimin e tyre sipas urdhërit të vetë gjykatës serbe, i morën dhe i ekzekutuan me urdhër dhe dinjeni të një numri oficerësh të lartë të ushtrisë dhe sigurimit serb. Ata vranë pa urdhër gjykate, në kohë paqe tre qytetarë amerikanë. Kjo nuk është nj vrasje që do të harrohet. As do të falet. Le të spërdridhet nga të dojë Vuçiqi, të gjithë ata që patën gisht, Beogradi e Serbia. Drejtësia mund të vonojë po do të vihet në vend një ditë.

 

Pak minuta pas botimit të këtij shkrimi erdhi lajmi se Komiteti i Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan kishte aprovuar Rezolutën Konkurrente me Senatin Amerikan, (H.Con.Res. 32, ) kushtuar çështjes së vëllezërve Bytyqi, duke ia hapur rrugën legjislative për një qendrim nga mbarë Kongresi Amerikan: http://illyriapress.com/house-foreign-affairs-committee-passed-resolution-on-shortly-after-the-20th-anniversary-of-the-bytyqi-brothers-murders/