Amerika zgjedh anëtaren e re të Gjykatës Supreme – një proces që nuk më zhgënjen asnjëherë

Nga Ruben Avxhiu

Demokracia amerikane është vënë në sprovë si rrallë ndonjëherë në histori për gati një dekadë, megjithëse disa probleme kanë rrënjë të thella që shkojnë me dekada.

Mes pasojave të kësaj gjendjeje është rritja e pozicioneve esktreme në të dy partitë kryesore, dëbosimi dhe rrallimi i qendrës politike, rrënimi i aleancave institucionale, lokale e tematike të zëvendësuara me aleancave partiake, mbarëkombëtare, madje edhe ndërkombëtare.

Një simptomë shumë e dukshme është degradimi i gjuhës së debateve politike, padurimi ndaj qendrimeve komplekse, triumfi i tribalizmit mbi parimin dhe moralin, etj.

E kam shkruar edhe më parë se rreziqet e këtyre zhvillimeve shkojnë përtej brigjeve amerikane e përfshijnë të gjithë botën, sepse demokracia amerikane është një burim i rëndësishëm frymëzimi e inkurajimi për lirinë dhe demokracinë në botë. Nuk është rastësi që vënia në sprovë e demokracisë amerikane përkon me një tërheqje të demokracisë dhe rritjes së autoritarianizmit në mbarë botën.

Megjithatë, në gjithë këto vite, një institucion që ka qendruar deri diku i paprekur nga dallgët ideologjike e kulturore të kohës mbetet Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme si mund ta dini ka 9 anëtarë, të cilët, me ndonjë përjashtim zgjidhen përjetë. Ky status është hartuar me qëllim pikërisht që të ruajnë një vizion afatgjatë në punën e tyre, duke

Ndonëse e vënë shpesh në shënjestër nga e djathta e së fundi edhe nga e majta, Gjykata Supreme amerikane është institucioni që më së shumti ruan pavarësinë dhe rolin që kanë imagjinuar baballarët e Amerikës si dhe reformatorët më të mëdhenj të sistemit amerikan në histori.

Presidentët amerikanë megjithë kompromiset e mëdha që bëjnë me faktorët ideologjikë të kohës së tyre dhe megjithë të metat e tyre personale kanë qenë shumë më të përgjegjshëm në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës sesa në shumicën e veprimtarisë së tyre në krye të vendit.

Rasti më i fundit ka qenë ai i Presidentit Donald Trump që pati fatin të emërojë tre anëtarë të Gjykatës Supreme duke përmbysur më në fund, pas gjysëm shekulli peshoren ideologjike të saj. Kjo u prit me një alarmizëm të jashtëzakonshëm nga demokratët dhe shumica e medias. Por asnjë nga katastrofat e premtuara nuk ndodhi.

Treguesi më domethënës është fakti se të tre anëtarët e emëruar nga Presidenti Trump në Gjykatën Supreme votuan rregullisht kundër përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale. Asnjë nga komentuesit e njohur politikë që i kishin përshkruar këta tre juristë (sidomos dy të fundit, Brett M. Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett) si kuklla servile të emëruara për të nënshtruar demokracinë amerikane për Presidentin Trump, nuk ka shprehur ndonjë keqardhje për ndotjen publike të figurës së tyre apo për keqinformim në mos manipulim të audiencave të tyre.

Megjithë, shumicën konservatore në Gjykatën Supreme nuk ka ndodhur as edhe përmbysja e shumëpërfolur e të drejtës së abortit, as ndonjë dobësim i legjislacioneve të tjera në fuqi që kanë anuar nga pikëpamjet liberale shumë kohë përpara se shoqëria amerikane t’i përqafonte në shumicën e saj.

Sot, kur Senati ka filluar procesin për të zgjedhur një anëtare të re të Gjykatës Supreme, janë republikanët dhe aleatët e tyre që po servirin alarmizma të ngjashme për juristen e kandiduar nga Presidenti Joe Biden, Ketanji Brown Jackson. (Nëse miratohet, ajo do të jetë gruaja e parë e zezë në Gjykatën Supreme).

Republikanët dhe konservatorët kanë arsye të jenë mosbesues. Liberalët kanë qenë më të suksesshëm në realizimin e synimeve të tyre nëpërmjet Gjykatës Supreme, në historinë moderne amerikane. Më tej, e majta ka rrëshqitur kaq shumë në pozitat e politikës së identitetit që dikur ishte territor i racistëve të bardhë e konservatorë sa që është bërë edhe ajo e rrezikshme për demokracinë liberale amerikane. Republikanët nuk kanë të drejtën morale të predikojnë se mëkatet e tyre janë një tjetër pirg me shqetësime, por rezistenca që dy anët i bëjnë teprimit të palës kundërshtare në fund i shërben Amerikës. Një arsye tjetër që republikanët kanë të drejtë të tregohen mosbesues është dobësia që Presidenti Biden ka dëshmuar ndaj krahut me progresiv të majtë që po merr fuqi në Partinë Demokrate. Një shembull domethënës është premtimi i Presidentit Biden se do të zgjidhte një “grua të zezë” në Gjykatën Supreme dhe jo se do të zgjidhte një jurist me nivelin e kërkuar.

Për fat të mirë, duket se Ketanji Brown Jackson përmbush jo vetëm kërkesën e tribalizmit të ri politik amerikan që fshihet pas maskës së drejtësisë sociale, por është edhe një juriste shumë e mirë. Përkundër akuzave që duan ta grupojnë me të majtën radikale identitare, çdo gjë që kam lexuar deri tani prej saj është e vetëpërmbajtur, esëll, e panjollosur nga teprimet tribaliste të kohës sonë.

Sigurisht, ajo ka një vizion që e afron më shumë me liberalët, ashtu si pritet të jetë një anëtar i Gjykatës Supreme i zgjedhur nga një demokrat. Biden duket se ka treguar zgjuarësi dhe ekipi i tij ka kryer punën e nevojshme. Nga një anë, formalisht ai ka kënaqur dëshirën e të majtës identitare që kërkon korrigjimin e historisë, duke zgjedhur një grua të zezë për këtë post të lartë, nga ana tjetër ka zgjedhur një profesioniste serioze që ka ditur të qendrojë sipër batakut politik e prirjeve joinstitucionale, për të mos thënë kundërinstitucionale të kohës.

Sa për sqarim, pavarësisht se jam kundërshtar i vendosur i tribalizmit që vjen si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, nuk mund të mos nënvizoj faktin domethënës që në gati 250 vjet histori, Gjykata Supreme nuk ka pasur kurrë një grua të zezë në përbërjen e saj. Kjo nuk ma justifikon zgjedhjen e kujtdo vetëm sa për të realizuar një numër, porn ga ana tjetër më entuziasmon që Biden arriti të zgjedhë dikë që i përmbush të dy kërkesat.

Pjesa tjetër është ndoshta jo për të gjithë. Si e do tradita e gjithë veprimtaria e saj do të vendoset nën lupën e mbikqyrjes. Ashtu duhet të jetë. Në këtë post zgjidhesh njëherë e përgjithmonë ndaj procesi duhet të jetë sa më serioz dhe i detajuar. Nuk kam dyshim se do të ketë sulme të ulëta dhe personale. Këtu janë demokratët ata që nuk mund të hiqen si shumë të moralshëm duke pasur parasysh sjelljen e tyre në proceset e anëtarëve të fundit të Gjtykatës. Nga ana tjetër është një rast i mirë për të njohur më shumë kandidaten dhe debatet legale, politike e kulturore të kohës në SHBA.

Megjithë, teprimet e anët negative të këtij procesi ai mbetet diçka e jashtëzakonshme për dikë që vjen nga Shqipëria, apo bota ish-komuniste, kur pushteti i ligjit ende është i diskutueshëm, ku reformat juridike janë ende në zhvillim dhe shpesh lënë shumë për të dëshiruar.

Në rast të tilla, nuk ndjek thjesht “Amerikën”, por shoh me vëmendje, ngazëllim, dhe një ndjenjë keqardhjeje në mos zilie, Shqipërinë si do të kisha dashur që të bëhej, apo si ëndërroj që të bëhet një ditë.