Amerikani që dinte shqip

Nga Ilir Seci

Nga viti 2005, një mbasdite në Manhattan më qëlloi të njihem me një amerikan që sapo kishte blerë një banesë aty, ku unë punoj…

Erdhi dhe më zgjati dorën duke u prezantuar;

– “Përshëndetje unë jam Majkëll, (Michael)”…

-“Përshëndetje, unë jam Iliri” – i thashë dhe si gjithmonë kur prezantohem me amerikanë nxitova t’ia shpjegoj emrin tim, gërmat e emrit tim, një për një “I-L-I-R”,(aj-ell-aj-ar), sepse nuk më pëlqën, kur disa më thonë gabimisht “Ilia”…

– “Ilir”- më tha ai për habinë time, – “Ti qënke shqiptar!”…

Unë mbeta…

-“Është një nga emrat më popullore në Shqipëri!”- më tha, – “E njoh shumë mirë Shqipërinë dhe di pak shqip! Kemi jetuar atje bashkë me gruan për dy vjet në Shqipëri! Kemi kujtime kaq të bukura atje, njerëz shumë të mirë, vend i jashtëzakonshëm”…

Nuk e fsheha që më erdhi shumë mirë!…E falenderova për konsideratën dhe e pyeta:

– “Po si qëlloi që jetove në Shqipëri?”…

– Kemi jetuar në Tiranë për dy vjet!”- më shpjegoi, – “kemi punuar atje të dy për një organizëm ekonomik. Gjatë atyre dy viteve kemi shëtitur gjithë vendin anembanë, Jug dhe Veri, imagjino kam qenë në Burgajet të Matit, në Palorto të Gjirokastrës dhe te Kulla ku ka lindur Berisha!”…

Qeshëm…

– “Kam mësuar pak shqip gjatë kohës që jetuam atje… Gruaja ime e di më mirë shqipen, sepse ajo kishte më shumë mundësi të mësonte, sepse me kohë u bë edhe mike me mësuesen që kishim dhe dilnin bashkë.”

Mbas disa ditësh zotëria amerikan erdhi dhe më takoi bashkë me të shoqen…

– “Për mua shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund të gjenden!” – më tha e shoqja, – “kam kujtime aq të bukura në atë vend! Kemi qenë gjithë kohës të rrethuar me dashuri, ngado që shkonim!”…

– “Më mungon Tirana!” – më tha e shoqja, – “Ah ato mëngjeset me ato kafet ekspres, mblidheshim disa gra dhe ndanim të rejat e ditës!”…

– “Të rejat dhe thashethemet” – shtoi duke qeshur…

– “Kemi jetuar në Tiranë, kur kushtet ishin ashtu si ishin, në vitin 1992, ti e di mirë” – më thanë – “Te apartamenti, ku jetonim kishim dush me skaldobanjë. Duhej të bëje kujdes, kur mbaroje dush se mund të nxiheshe nga tymi i vajgurit që ngrohte ujin.”…

– “Kemi punuar më vonë në Çeki dhe tjera vende të Europës Lindore” – më thanë, – “por askund nuk e kemi gjetur atë mikpritje që e gjetëm në Shqipëri!”…

– “Vetëm, kur punuam disa muaj në Kosovë!”- nxitoi të sqaronte e shoqja, – “Edhe në Prishtinë për pak kohë që punuam njësoj si në Tiranë!”…

I takoja shpesh se blenë banesën aty dhe i shihja shpesh, më kërkuan t’u sjell fëmijët që të njihen me fëmijët e tyre…

– “Duam që fëmijët tanë të njohin shqiptarë!” – më thanë, – “ U kemi folur aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët!”…

…Në vitin 2008 rastësisht shoh një artikull në gazetën “The New York Times” me foton e zotnisë që njihja…Po ai ishte Michael Froman!…

Shënim: Michael B. Froman lindur më 20 gusht 1962, një jurist amerikan, i cili kishte qenë shok klase me Obamën në Harvard… Mbante disa doktoratura dhe tituj të marrë në Universitetin Princeton, në Oksford Angli dhe Harvard… Kur kishin qenë në shkollë me Obamën kishin nxjerrë bashkë “Revistën Juridike” të atij universiteti… Në mandatin e parë të tij si President, Obama e zgjodhi Asistent të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe zëvendës këshilltar të sigurisë kombëtare për Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare… Në maj 2013 Presidenti Obama e emëroi Michael Froman si Përfaqësues të Tregtisë të SHBA l, (U.S. Trade Representative), pozicion në të cilin u konfirmua zyrtarisht më 19 qershor  2013 dhe e mban ende sot…