Amnezia historike, themel i propagandës ruse për Kosovën

Nga Ruben Avxhiu

Sovietikët kishin “Pravdën”, oligarkia e korruptuar e Putinit ka kanalin “Russia Today” RT, apo “Rusia Sot”. Kjo e fundit është po aq qesharake sa e para. Kur merret me Kosovën, në mungesë të argumenteve i var shpresat te amnezia historike dhe përpiqet të rishkruajë historinë. Po kjo nuk të çon larg kur njerëzit që i përjetuan ngjarjet janë ende gjallë për t’i ritreguar ato.

Së fundi, “Russia Today” bënte një pyetje në rrjetet shoqërore. “Pse të mos ta quajmë Luftën e Kosovës, një aneksim dhe invazion të NATOs?”

Sa më i pazoti je aq më të madhe e ke ambicjen. Me një goditje, servilët e regjimit putinian duan edhe të justifikohen për aneksimet ruse si ai i Krimesë, edhe të sulmojnë NATO-n, edhe të përbaltin kauzën e Kosovës.

Sigurisht që ndryshe nga ngjarjet në Krime të Ukrainës, Kosova nuk u bë pjesë e ndonjë shteti tjetër, kështu që fjala “aneksim” është qesharake. As nuk mundet një aleancë që nuk zotëron territore të aneksojë një të tillë.

NATO ndërhyri për të shmangur një katastrofë humanitare dhe për të ndalur përsëritjen e krimeve dhe tragjedive si ato të Srebrenicës.

Menjëherë pas mbarimit të luftës, në vend të “aneksimit”, NATO ia dorëzoi Kosovën (e cila nuk kishte status të përcaktuar) Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me një vendim të Këshillit të Sigurimit, për të cilin votoi edhe vetë Rusia, u krijua një mision i OKB-së për administrimin e Kosovës, i quajtur UNMIK.

Mjafton pra që “Russia Today” të lexojë fjalimet dhe vendimet e diplomatëve rusë për këtë çështje. Po kur je një tallash në moshë të re, që as nuk di, as nuk mëson, po lan gojën me propagandë boshe, nuk ke si të dish për këto të vërteta.

Ka vërtet forca të NATO-së në Kosovë, që veprojnë në kuadrin e KFOR-it. Mirëpo, KFOR-i u themelua si forcë paqeruajtëse ndërkombëtare, me miratimin përsëri të vetë Rusisë. Madje për kokëboshët e “Russia Today”, edhe me pjesëmarrjen e vetë Rusisë. Paqeruajtësit rusë ishin jo vetëm pjesë themeluese e KFOR-it, menjëherë pas luftës, po ishin edhe në ngarkim të një sektori të rëndësishëm të vendit. Atëhere, si u aneksua Kosova nga NATO, kur aleanca ia dorëzoi qeverisjen OKB-së ndërsa mbrojtjen e Kosovës ia la një force ndërkombëtare që përfshiu edhe Rusinë?

Ka edhe më. Ashtu si vetë Rusia, NATO nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për shkakun e thjeshtë se vendimet e NATO-s janë unanime. Sa kohë që ka edhe një anëtar të vetëm të NATO-s që nuk e njeh Kosovën, vështirë që Kosova të bëhet pjesë e aleancës pa ndonjë marrëveshje të posaçme që do të tolerojë mospërputhjen e njohjeve me realitetin.

Mendja të shkon në fund se prania e kampit të Bondsteel-it e bën trumpetën e propagandës ruse ta quajë Kosovën, aneks të NATO-s. Mirëpo, ai kamp është i Ushtrisë Amerikane. Është i pavarur nga NATO dhe ndodhet aty në përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës që dëshiron praninë ushtarake amerikane në vend.

Ndryshe nga kriza shumëvjeçare e Kosovës që u zgjidh me luftë e me administrim të ndërmjetshëm të OKB-së përpara se të shkohej te zbatimi i të drejtës së vetëvendosjes, Krimeja ishte një proces vetëm 12-ditësh. Në më pak se dy javë, u prodhua një krizë artificiale, papritmas “populli” në Krime donte shkëputje. Pa u mësuar mirë lista e kërkesave, ushtria ruse ndërhyri dhe nën tytat e armëve u mbajt një referendum “i lirë” ku populli i Krimesë vendosi t’i bashkohej Rusisë.

NATO hyri në Kosovë dhe mbylli konfliktin. Rusia hyri në Krime dhe e hapi. Ajo e aneksoi në mënyrë klasike, ndryshoi brenda ditës hartat, gjuhën e vendit, monedhën, kishën zyrtare, etj. Krahasimi i kësaj ngjarjeje me Kosovën apo i ushtrisë ruse me NATO-n është një tallje me historinë dhe realitetin e sotëm në botë. Është një tjetër shembull i mungesës së thellë të seriozitetit të politikës së jashtme dhe të sigurisë ruse. Një tjetër kujtesë se pse në ndarjen e re globale, shqiptarët ndodhen në anën e duhur. (Ruben Avxhiu)