Anijet amerikane me ndihma ishin në port, por Enver Hoxha i refuzoi se preu lidhjet

Ronald Nasson, Komandant, kryetari i Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë flet për gazetën “Illyria”

 

Britanikët humbën 55 ushtarë në Shqipëri dhe kanë një varrezë në Tiranë – për ndihmën që dhamë, ushtarët shqiptaro-amerikanë duhej të kishin marshuar krah për krah me partizanët në 29 nëntor 1944 në një paradë fitoreje

 

Bisedoi Aristir Lumezi

Ronald Nasson, Komandant, kryetari i Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro-Amerikanë tregon se cili ishte misioni i OSS, Zyrës së Shërbimeve Strategjike amerikane që ka qëndruar në Shqipëri gjatë viteve të Luftës e që ka ndihmuar rezistencën çlirimtare kundër gjermanëve. Ishte komandant Nasson që zbuloi të enjten në qytetin e Korçës memorialin me 26 emrat e ushtarakëve sekretë shqiptaro-amerikanë që ndihmuan luftën për çlirim. Ishin 26 agjentë, të profesioneve të ndryshme, që zotëronin gjuhë të huaja të rajonit dhe që punon për të furnizuar frontin e luftës. Nasson, me origjinë shqiptare i lindur në SHBA shprehet se meqenëse lufta që zhvillonte Enver Hoxha dhe ushtria çlirimtare e tij përballej me gjermanët për çlirim, u përkrah nga SHBA dhe pse menjëherë pas luftës ai i prishi marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Komandant Nasson-it i ka mbetur brengë se përse ushtarët shqiptaro-amerikanë e OSS nuk marshuan krah për krah me partizanët në 29 nëntor 1944 me Enver Hoxhën në një paradë fitoreje. Ndoshta ngjarjet historike do të kishin marrë një rrjedhë tjetër dhe shqiptarët nuk do të ishin mbyllur me botën nën një regjim 50-vjeçar komunist.

 

Komandant Nasson, ju jeni kryetari i Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro Amerikanë, sa e vështirë ishte organizimi i kësaj ceremonie?

Unë jam kryetari i shoqatës të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore në Boston. Shoqata u krijua në 1946 në Boston. Në 1952 unë u pranova si komandant i veteranëve të Amerikës. Babai është nga Treska, mamaja është nga Katundi, ndërsa unë kam lindur në Amerikë. E humba pak gjuhën shqipe sepse shkova në ushtri dhe më pas në universitet dhe kështu kam qenë larg familjes ku flitej shqip. Kohët e fundit unë kam filluar ta praktikoj për shkak të emigrantëve shqiptarë që kanë ardhur në Amerikë. Jam shumë krenar për ta, sepse janë integruar mirë në Amerikë dhe një nga prioritrete e tyre është të shkollojnë mirë fëmijët e tyre. Kjo është një karakteristikë shumë e mirë e tyre. Ata po integrohen në jetën amerikane dhe gjëja më e bukur është se kanë ruajtur traditat dhe zakonet e tyre shqiptare.

 

Sa e vështirë ishte për ta bërë këtë memorial?

Ishte e vështirë, por ishte edhe gëzim i madh, sepse unë e dija që shqiptarët dhe qeveria do duhej t’i njihnin më në fund saktrificat që kishin bërë shqiptaro-amerikanët gjatë luftës dhe i njohën ato. Kur takova kryetarin e bashkisë së Korçës, ai e përqafoi menjëherë këtë iniciativë, nuk bëri asnjë pyetje dhe tha le ta bëjmë që tani. Mendova se duhej bërë sa më shpejt, sepse këto shoqata sa vijnë dhe po rrallohen, pasi dhe anëtarët e tyre janë në moshë të vjetër dhe po pakësohen. Por duhet të kesh dhe dikë që të kalojë pragun. Ai ishte Peter Lucas që shkroi librin “Misioni amerikan në Shqipëri” dhe nga kërkimi që bëri gjeti këta 26 njerëz që kontribuan në misionin e OSS (Zyra e Shërbimeve Strategjike) tre prej të cilëve janë akoma gjallë. Ishte një siatuatë shumë e këndshme, pasi njëri nga veteranët, 93 vjeçar, kur e mori vesh se do vendosnim një memorial, ofroi 1 mijë dollarë. Unë i thashë se nuk duhet ta bënte këtë, sepse ishte shumë i moshuar, sepse të ardhurat e tij nuk janë aq të mira. Pasuan shumë mbështetje të tjera për ta realizuar këtë projekt.

 

Çfarë ishte OSS, në Shqipëri pasi nuk ka pasur informacion rreth saj. Çfarë misioni kishte ajo?

OSS ose Zyra e Shërbimeve Strategjike, ishte një mision special që shërbente pas frontit çlirimtar për të luftuar gjermanët, sillnin ushqime, veshëmbathje, materiale lufte dhe që ndihmonin rezistencën kundër gjermanëve. Enver Hoxha kërkonte më shumë furnizime dhe ushqime. Forcat e rezistencës ishin ndarë në tre grupe. Enver Hoxha kërkonte më shumë mbështetje sepse pretendonte se dy grupimet e tjera politike në këtë luftë nuk i luftonin gjermanët, se ai kishte barrën kryesore në këtë luftë. Atëherë unë, 18 vjeç, nuk i kuptoja motivet e tij dhe luftoja për lirinë e atdheut tim. Ai i bëri gjërat sipas mënyrës së tij dhe u deshën fatkeqësisht shumë vite që të kalohej kjo situatë, ai sistem dhe ai regjim.

 

Cili ishte roli i Hoxhës dhe i partizanëve, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit në luftë?

Qëllimi kryesor për të gjithë ishin që të zbonin pushtuesin, por Hoxha ishte ai që thoshte se qëllimi kryesor ishte çlirimi i vendit, ndërsa grupimet e tjera i cilësoi kolaboracionistë. Nëse dikush të fajëson për tradhëti në luftë, kjo njollë nuk ikën, sado gjëra të mira dhe qëndrime pozitive të mbash. Meqenëse ata po ndërmerrnin më shumë veprime kundër pushtuesve, ne mbështetëm Hoxhën në këtë luftë. Por për shumicën e veteranëve, ata mendojnë se për sa kohë këta po luftonin kundër gjermanëve, ne duhet t’i ndihmonim, por më vonë e kuptuam se ky kishte qenë një pozicionim i gabuar. Por ne me pozicionin që morëm shpëtuam njerëzit, shpëtuam vendin.

Britanikët humbën 55 ushtarë në Shqipëri dhe kanë një varrezë në Tiranë. Harry Fultz që drejtonte OSS për Shqipërinë nga Italia, ishte dhe mësues dhe ishte ai që hapi shkollën teknike në Tiranë. Ai kishte shumë influencë. Imagjinoni sa bukur do të ishte për ndihmën që dhamë, që ushtarët shqiptaro-amerikanë të marshonin krah për krah me partizanët në 29 nëntor 1944 me Hoxhën në një paradë fitoreje?!

Tre muaj më vonë, Hoxha nuk e njohu qeverinë amerikane, s’kishte më marëdhënie diplomatike me SHBA-në. Anijet amerikane me ndihma ishin në port që të ndihmonin popullin sepse varfëria ishte shumë e skajshme.

 

A do vendosni një memorial tjetër, ndoshta në Tiranë, pranë ushtarëve britanikë?

Tre miqtë e Peter Lucas që punonin në Shqipëri, mbanin lidhjet me autoritetet në Korçë dhe u arrit të realizohej memoriali në Korçë. Do ishte mirë që të kishin shumë veteranë amerikanë këtu sot, por në moshën që ne jemi, por për arësye të moshës dhe shëndetsore, kjo gjë nuk ishte e mundur. Nuk e dimë nëse do të arrijmë në të ardhmen të vendosim edhe një memorial në Tiranë.