Anila Jaho, 6 sekonda shqiptare në Tribeca Film Festival

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Një artiste shqiptaro-amerikane u bë pjesë e një momenti historik në të famshmin, Tribeca Film Festival.
Anila Jaho ishte nga ata artistë të paktë që u zgjodh mes qindra në mos mijëra konkurruesve kudo në botë të cilët iu përgjigjën ftesës së parë në historinë e festivalit për të hyrë në garë online me një krijim 6-sekondësh.
Është dëshmi sesi teknologjia po ndryshon kohët e bashkë me to institucionet e industrisë së filmit, e botën e artit në tërësi. Talentet dikur trokisnin në “dyer”, tani vërshojnë nga “dritaret”. Simbolika e dytë e lajmit është padyshim dalja e artistëve shqiptarë në pah. Jo duke ndjekur të renë po duke qenë pjesë e saj.
Se sa shpejt vrapon bota e teknologjisë, mjafton të tregojmë se kur festuam së fundi natën e Vitit të Ri aplikimi “Vine” (Vajn) që u përdor nga artistët për të hyrë në këtë konkurrim, nuk ishte bërë ende publik. Ishte krijuar në verën e kaluar, u ble nga Twitter në tetor dhe në 24 janar 2013 u lëshua mes nesh si aplikim “iOS” falas në iPhone dhe iPod Touch (ato “veglat” që na kanë mbushur, shumëdimensionuar por edhe çakërdisur jetën në vitet e fundit).
Vine është një shërbim për të shkëmbyer video dhe brenda pak javëve, njerëzit kishin shkëmbyer kaq shumë video nëpërmjet këtij mjeti të ri, sa që organizatorët e Tribeca Film Festival u frymëzuan të ftojnë një konkurrim të ri, nëpërmjet tij. U pa si mënyra më e mirë për të sinjalizuar se edhe TFF po hidhej në dallgën e shndërrimeve fatale të teknologjisë.

* * *

Të shprehësh diçka në gjashtë sekonda nuk është e lehtë. Praktikisht mbase nuk të del koha as të thuash fjalët “Gjashtë sekonda”. Po është vështirë të mos mbetesh, për një kohë të gjatë, me një buzëqeshje në fytyrë dhe një kumbim blegërime në vesh pas gjashtë sekondave shqiptare të Anilës në Tribeca Film Festival.
Nuk është çudi pra që është përzgjedhur dhe tani është rehatuar me krenari përkrah krijimeve të tjera të ngjashme në faqen e internetit të TFF kushtuar këtij konkursi.
Kush ka pasur vëmendje nuk habitet nga suksesi i Anilës. Dikur, rrugët i janë kryqëzuar edhe me lexuesin e kësaj gazete, në periudhën kur ajo ishte drejtuese artistike në “Illyria”. Më vonë, lexuesit tanë mund të kenë lexuar për suksesin e saj si fotografe, ndër të tjera edhe Çmimin “Best in the show” në konkursin-ekspozitë “Connections, përzgjedhur nga një juri e nivelit kombëtar drejtuar nga i mirënjohuri Donald Kuspit. Ose mund të kenë parë fotografitë e bukura e artistike, nga filmi “The Forgiveness of Blood” (Falja e gjakut) që kanë shoqëruar shpesh shkrimet për këtë film në gazetën tonë e tjetërkund. Ajo ka qenë fotografja zyrtare e filmit dhe çdo material publiçitar ka pasur punë të saj.
Po ka më shumë se kaq. E lindur në Laç dhe e emrigruar fillimisht në Greqi, Anila e ka nisur veprimtarinë e saj artistike si piktore. Kur është zhvendosur në SHBA pastaj ka zgjeruar hapësirën e saj të krijimit.
Ka studjuar në Virginia Commonwealth University, në Richmond dhe pastaj ka marrë gradën Master (Computer Arts 3D/2D Animation) në shkollën e shquar të artit School of Visual Arts (SVA), këtu në New York.
Është interesant se për konkurrimin mësoi vetëm dy ditë përpara mbarimit të afatit.
“E dija se mund te konkuroja pasi i kisha gati dy klipe që me shumë pak punë mund të më përfaqësonin denjësisht”, thotë ajo për gazetën “Illyria”. “Por, ishte shume pak kohë për t’i ripunuar dhe duke pasur parasysh rëndësinë e festivalit”.
Ajo shton se kishte pak shpresë që mund të fitonte apo qoftë edhe të hynte në listën e shkurtër të kandidatëve të Tribeca Film Festival.
“Përpjekjet e artistëve amerikanë për të qenë pjesë e Tribeca-s janë të paimagjinueshme dhe përkushtimi dhe punët e tyre janë marramendëse. Online mund të gjesh ‘mbrapa skene’ produksione me buxhete të larta për këtë konkurrim 6-sekondësh, gjë që padyshim është një faktor intimidues për këdo në këtë biznes”.
Megjithë këto parandjenja e një sens të thellë realizmi Anila thotë se iu fut gjithësesi punës duke i postuar të dy klipet para përfundimit të afatit”.
Tani ku është lezeti i suksesit nëse nuk ka pak dramë. Për katër orë me radhë, Anila shijoi reagimet përgëzuese të shikuesve dhe komentueve në Vine. Dikush i kishte thënë se ishte filmi më mirë deri në atë moment. Të nesërmen, shkon të kërkojë për reagime të tjera dhe zbulon që filmat ishin fshirë nga shërnbimi Vine.
“U mërzita shumë, sepse më duhej të kontaktoja Festivalin për t’i lajmëruar për ngjarjen. Kontaktova me telefona dhe e-mail dhe pas dy ditësh komunikimi me dhanë të drejtën t’i ripostoja të dy filmat dhe njëherë”, tregon Anila peripecitë e papritura të gjashtë sekondave të saj. Peripecitë sipas saj i kanë kushtuar 50% të cilësisë, diçka ndoshta pa rëndësi për syrin e shikuesit të thjeshtë (përfshi edhe autorin e këtyre radhëve) po që mesiguri nxikojnë në vendimet e atyre që bëjnë përzgjedhje..
“Jam e lumtur se gjithë ky kalvar vështirësish të orëve të fundit ia vlejti mundimin”, thotë ajo.
Sigurisht ditët e pritjes për të parë një film shqiptar me metrazh të gjatë që fiton në Tribeca Film Festival, janë ende të gjata para nesh. Po kjo nuk është arsye për të mos iu gëzuar këtij suksesi kaq unik. Anila i meriton të gjitha urimet.
Filmi i artistes shqiptare që është përzgjedhur quhet “Lamb Creation” (Krijimi i qengjit) dhe është një historia e animacionit me delen në kartopecetë. Ajo që është interesante është kondensimi i ngjarjeve dhe mbresave në një shprehje pak sekondëshe në film.
Filmi ka një histori më vete, mbrapa tij, po këtë mbase do ta lëmë për një ditë tjetër.

(Për këtë dhe për më shumë lidhur me veprimtarinë e Anila Jahos mund të zbuloni në http://anilajaho.weebly.com)