Antifashizmi dhe Kurti: problemet e historike mbas kësaj ideje

Albert Bikaj

Nga Albert Bikaj

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një bisedë me Sasha Magazinoviq, anëtar i PSD-së së Bosnjës, u shpreh si më poshtë:

Prindërit e prindërve tanë ishin inovatorë dhe të guximshëm – ata ishin antifashistë. Ne nuk kemi nevojë të mendojmë shumë sot – ne vetëm duhet të kthehemi në rrënjët tona.”

Sigurisht, në parim jam dakord. Por duhet të kemi parasysh disa gjëra, as në atë kohë nuk është se bëhej fjalë për antifashistë idealë. Dhe këtë mund ta vertetojmë me shembuj të shumtë. Për shembull, konkretisht, të njëjtët “antifashistë” masakruan mbi 1,600 shqiptarë të Kosovës në Tivar (1945) (mes tyre kishte fëmijë; sipas shumë historianëve, numrat janë shumë më të mëdhenj se kaq), që pastaj i varrosën, betonizuan terrenin dhe për të fshehur krimin ndërtuan një aeroport në po të njëjtin vend. Dhe për këtë, askush nuk ka dhënë ndonjëherë përgjegjësi. Ky, për fat të keq, është një nga shembujt klasikë të fashizmit ‘antifashist’.

Natyrisht, jam i sigurt për qëllimet dhe idetë vullnetmira që Kurti mbron. Ballkani ka nevojë për një politikë të arsyeshme dhe paqësore. Kemi nevojë për politikanë si Willy Brandt, të cilët do të mbrojnë paqen, të cilët do të pranojnë dhe dënojnë krimet, pavarësisht nga përkatësia fetare dhe kombëtare. Dhe për këtë më së pari nevojitet fryma humaniste në dritën e së vertetës- e cila mungon më shumë në rajonin tonë.

Le të jemi të qartë, Masakra e Tivarit, si dhe shumë krime të tjera, të ngjashme për nga natyra (veçanërisht përgjatë luftërave ballkanike), ende nuk përmenden në librat shkollorë të historisë në Mal të Zi dhe Serbi. Nga ana tjetër, krimet e kolaboracionistëve shqiptarë (veçanërisht krimet e turpshme të divizionit SS Skanderbeg) kundër serbëve dhe malazezëve nuk janë aq të njohura në mesin e shqiptarëve.

Ne duhet ta kuptojmë se krimet janë krime, pavarësisht nga kategoritë raciale, etnike dhe fetare. Për këtë, nevojitet arsye e shëndoshë, vullnet i mirë dhe frymë humaniste. Shovinizmi duhet të dënohet në çdo bazë, veçanërisht nga klerikët dhe politikanët. Por, për fat të keq, ende jemi shumë larg. Serbia vazhdon jo vetëm të mohojë krimet por edhe shpesh promovon politikë të tillë; njohja e Kosovës për ta është diçka e papranueshme. 

Politikanë të shumtë, historianë dhe për fat të keq edhe klerikë të caktuar të Serbisë, vazhdojnë të propagandojnë ide shoviniste dhe teza pseudo-historike që relativizojnë, pakësojnë, justifikojnë apo edhe mohojnë krimet. Këta njerëz, me këto ide, zvogëlojnë edhe dinjitetin njerëzor të Tjetrit—në ketë rast të shqiptarëve. Dhe derisa të kuptojmë dhe pranojmë se të tjerët – të cilët nuk mendojnë si ne, që nuk flasin të njëjtën gjuhë – janë qenie njerëzore nga mishi dhe gjaku, do të jemi në telashe. Dhe kjo, për fat të keq, mbetet pengesa kryesore në çështjen ballkanike, e cila sigurisht nuk mund të korrigjohet apo shërohet me idetë që janë pjesë e problemit. Sepse në emër të antifashizmit, në rajonin tonë, dhe jo vetëm, u kryen krime të mëdha të përmasave fashiste.