Anulohen zgjedhjet për kryetar të Hanit të Elezit

Prishtinë, 21 tetor 2021 – Votuesit në komunën e Hanit të Elezit do të votojnë edhe një herë për kryetar të komunës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të enjten, mori vendim për anulimin e procesit të votimit për kryetar të komunës, të 17 tetorit, dhe urdhëroi votim të sërishëm vetëm për kryetar.

Në vendimin e PZAP-it thuhet se është pranuar si e bazuar ankesa e bërë nga Rufki Suma, kandidati i pavarur dhe kryetar dhe kryetar aktual i Hanit të Elezit. PZAP ka konstatuar se procesi i votimit ka pasur presion ndaj votuesvedhe blerje votash.

“… ka pasur organizim për të votuar dhe blerje të votës për të votuar subjektin politik Partia Demokratike e Kosovës”, thuhet në vendimin e PZAP-it.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazi, ka dalë i pari në zgjedhjet e së dielës që u anuluan nga PZAP-i.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it për anulimin e zgjedhjeve për kryetar të Hanit të Elezit.

(r.m.)