Anxhela Peristeri në finale e “Eurovisionit”, pret mbështetjen e të gjithë shqiptarëve

Prishtinë, 22 maj 2021 – Në Rotterdam të Holandës të shtunën në mbrëmje mbahet nata finale e festivalit “Eurovision”.

Në garën për kurorën e festivalit konkurrojnë përfaqësuesit e 26 shteteve, të kualifikuar dy netët gjysmëfinale. Në mesin e tyre është edhe këngëtarja Anxhela Peristeri, e cila e përfaqëson Shqipërinë, me këngën “Karma”.

Në natën gjysmëfinale, këngëtarja shqiptare shkëlqeu në skenën e festivalit.

Pas kualifikimit për natën finale, ajo ka treguar për emocionet që e kanë kapluar kur ka mësuar se dotë vazhdojë garën për këngën e “Eurovisionit”.

“Eurovisioni është një skenë aq e madhe, me një audiencë aq të madhe sa që kontrollimi i emocioneve gjatë performimit është shumë i vështirë. Në momentin që dëgjuam se ishim në finale, isha shumë e lumtur dhe kisha emocione të jashtëzakonshme, të cilat është vështirë të përshkruhen, sidomos kur aspak nuk e prisja që të isha e kualifikuara e parë. Ishte një moment shumë i bukur”, ka thënë Anxhela Peristeri për medien kosovare “Telegrafi”.

Anxhela ka thënë se emocione edhe më të forta e kanë kapluar në prag të natës finale.

“Emocionet gjithnjë janë në rritje kur afrohet ora e performimit. Jam shumë e lumtur që arritëm në finale dhe do të përfaqësojmë të gjithë shqiptarët, anembanë, dhe muzikën shqiptare”, ka thënë ajo.

Anxhela i ka falënderuar të gjithë shqiptarët në mërgim që ekanëvotuar në  natën gjysmëfinale dhe u ka bërë thirrje të votojnë për të edhe në natën finale.

“Jam shumë falenderuese për votat e shqiptarëve në diasporë në natën e gjysmëfinales. Edhe sonte, në natën finale, e pres mbështetjen e tyre, për të ngjitur sa më lart Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, në këtë edicion të festivalit. Sonte performoj me numrin 02 dhe shpresoj të marr mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, edhe një herë”, ka thënë Anxhela Peristeri.

Këngëtarja e dashur për publikun ka kërkuar mbështetjen e shqiptarëve edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Ajo ka publikuar foto me kodin e saj në këtë festival, si edhe të gjithë numrat e shteteve në të cilët mund të votohet.

(r.m.)

Comment

*