AP: Afër 600 të vrarë në sulmin ndaj teatrit në Mariupol

Mariupol, 5maj 2022 – Agjencia Associated Press tha se ka kryer një hulumtim që tregon se afër 600 civilë kanë vdekur në sulmin rus ndaj teatrit në Mariupol, që përdorej si strehimore.

Numri i saktë i viktimave nga sulmi ajror i 16 marsit ka qenë i panjohur pasi luftimet e ashpra nuk kanë lejuar autoritetet që të kryejnë kërkime nën rrënojat e teatrit.

Përderisa zyrtarët ukrainas kanë thënë se të paktën 300 persona kanë vdekur në sulm, AP raportoi se sipas rikrijimit të ngjarjeve, që është bazuar në rrëfimet e 23 të mbijetuarve dhe ekipeve të shpëtimit, shifra e viktimave është të paktën dy herë më e lartë se sa ajo e raportuar nga zyrtarët ukrainas.

AP po ashtu tha se ka analizuar planet e brendshme të teatrit, ka përdorur fotografi dhe video që janë bërë brenda këtij objekti para sulmit, gjatë sulmit dhe një ditë pas sulmit.

Kjo agjenci po ashtu ka rikrijuar të gjithë ngjarjen përmes formatit 3D.

Rusia mohon se sulmon caqe civile në pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, pavarësisht se prova të shumta dëshmojnë të kundërtën.

Sulmi ajror ndaj Teatrit të Dramës në Mariupol konsiderohen si një prej sulmeve më vdekjeprurëse ndaj civilëve deri më tani.

“Të gjithë njerëzit janë ende nën rrënoja sepse rrënojat janë ende aty, askush nuk i ka nxjerrë ata”, tha për AP, Oskana Syomina, e cila i ka mbijetuar sulmit ajror.

“Kjo është një varrezë e madhe masive”.

(REL)