Apeli i Speciales e refuzon kërkesën e Thaçit e të tjerëve për lirim nga paraburgimi

Hagë,30 prill 2021 – Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave tֻë Specializuara të Kosovës në Hagë e ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtësve të ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për lirim të përkohshëm nga paraburgimi.

“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në komunikatën e publikuar  në faqen zyrtare tw Dhomave të Specializuara.

Kjo nuk është hera e parë që ish-krerëve të UÇK-së u refuzohet kërkesa për lirim. Në fillim të këtij viti, Specialja me arsyetimin se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim, u kishte refuzuar kërkesën për lirim me kusht, të cilin të akuzuarit e kishin apeluar.

Nga fillimi i nëntorit, katër ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim në Hagë. Ata po akuzohen për krime lufte.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

(r.m.)