Arifi: Qeveria Kurti s’bëri asgjë për procesin e regjistrimit të popullsisë në Luginë të Preshevës

Prishtinë, 31 tetor 2022 – Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, është shprehur i zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Arifi ka thënë se Qeveria e Kurtit nuk ka dhënë pothuaj kurrfarë mbështjeje për procesin e regjistrimit të popullsisë në Luginën e Preshevës. Ai ka kujtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i dërgonte serbët me autobusë që të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit në Kosovë.

“Atë që e shoh nga Kryeministria jonë në Kosovë për mua është dëshpëruese, sepse tërë kohën, këto 30 ditët e fundit, nuk ka treguar zgjuarësi sa i përket organizimit dhe suportimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Do të mund të bënte njëjtë siç ka bërë Serbia, ka dërguar autobusë me serbë në Kosovë që të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit asokohe. Ne nuk e kemi parë një angazhim të tillë të Qeverisë së Kurtit në 30 ditët e fundit, përveç një videoje në fillim dhe një statusi që e ka postuar sot, në përfundimin e këtij procesi”, ka thënë Arifi për RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se të dhënat janë të mira në përgjithësi, sepse, siç ka thënë, ka pasur një dyfishim të popullsisë në komunën e Preshevës dhe një angazhim në gjithë Luginën për të rritur numrin edhe më shumë.

“Sepse jemi mbi 120 mijë qytetarë në Luginën e Preshevës”, ka thënë ai.

Arifi i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur procesin e regjistrimit në Luginë.

“Dua t’i falënderoj të gjithë që kanë marrë pjesë në motivim apo në regjistrim, sepse kanë treguar një largpamësi dhe patriotizëm. Pos asaj që në Medvegjë kemi pasur pengesa në regjistrim, në përgjithësi regjistrimi ka qenë në favor të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Arifi.

Duke komentuar deklaratën e president serb, Aleksandër Vuçiq, se po fryhen listat e shqiptarëve, Arifi ka thënë se nga Vuçiqi nuk ka pritur reagim tjetër.

“Deklaratat e Vuçiqit janë më shumë shprehje e dëshpërimit të asaj që politikat e tij diskriminuese dhe pasivizuese të adresave të shqiptarëve në këto 10 vitet e fundit, tash, me regjistrimin tonë, janë demaskuar”, ka thënë ai.

(r.m.)