Armand Duka u pezullua nga detyra si president i FSHF-së nga Gjykata Penale e Tiranës

Bashkë me zotin Duka u pezullua edhe Sekretari i Përgjithshëm i federatës Ilir Shulku dhe dy shtetas të tjerë

Knid Denion Ndrenika

Gjykata Penale në Tiranë pezulloi nga detyra Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Kryetari i trupës gjykuese Arytan Gjermeni vendosi pezullimin pasi prokuroria po heton për shpërdorim detyre dhe falsifikim në procesin për thirrjen e Asamblesë së Zakonshme të 2 marsit.

Motivacioni ligjor i kërkuar nga prokuroria dhe pranuar nga gjykata është caktimi i masës së sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për presidentin Duka, Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe shtetasit e përfshirë Koço Kokëdhima dhe Ardian Haçi.

Por, gjykata rikonfirmoi gjithashtu pezullimin e efektve juridike të Vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi për Asamblenë e 2 marsit ku do të votohet presidenti i ri.

Zoti Duka, Sekretari Shulku dhe dy shtetasit e tjerë kanë të drejtë të apelojnë brenda pesë ditëve vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por ata nuk mund të ushtrojnë detyrën.

Ky është vendimi i gjashtë kundër presidentit Duka dhe federatës në procesin nën hetim për falsifikim firmash të delegatëve, duke përfshirë edhe sekuestrimin e të gjithë materialeve dhe mandateve të nevojshëm për Asamblenë e 2 marsit.

Kandidatë për president janë zoti Duka prej 20 vjetësh në detyrë, ish- Sekretari i Përgjithshëm, Sulejman Starova dhe gazetari Dritan Shakohoxha.