Armand Sallabanda, fotografi i talentuar shqiptar

Intervistë nga Iva Gjoni

 

Arti i fotografisë i ka fillesat në shekullin e IV-V para erës sonë. Dëshira për të kapur momente nga jeta duhet të ketë qenë e vjetër sa vetë qytetërimi. Çfarë ka një fotografi që të bën të mendohesh, pëlqesh, dëshirosh ose thjeshtë të admirosh një moment kur një personazh fare i panjohur ka ngrirë në kohë dhe hapësirë? Çfarë magjie ka, pra, syri estetik i fotografit që kërkon të gjejë diçka më shumë se sa një ngrirje fizike, ndofta një vështrim të veçantë, një ulje koke të jashtëzakonshme, një buzëqeshje që s’do ishte e mundur të mbetej përherë e palëvizshme sikur të mos stampohej në letër? Është në natyrën tonë të kujtojmë, të ruajmë çaste, ta bëjmë kohën të palëvizshme. Dhe është e vërtetë se fotografi ndalon kohën dhe kthen një moment të ikshëm në të përhershëm. Një album fotografik kthehet në një ‘botë çudirash’, ku çdokush mund të jetë Kapelebërësi  i marrosur, Lepuri që  nxiton ose Liza që çuditet. Një fotograf i pasionuar si Armand Sallabanda ruan pikërisht këto momente të veçanta dhe me profesionalizëm krijon fotografi të cilat të marrin mendjen me bukuritë femërore, sensualitetin, dritëhijet dhe mesazhet që përcjellin, të cilat, padyshim, janë të ndryshme për shikues të ndryshëm. Arti i tij plotëson një vend bosh në fushën e fotografisë bashkëkohore shqiptare. Punët e tij janë publikuar në Tiranë, Shqipëri dhe, pse jo, në të ardhmen do të bëhen të njohura dhe nëpërmjet ekspozitave botërore. Një fotografi është asgjë në qoftë se nuk të shokon, thotë Marcel Ducamp. Fotografitë e Armandit e kanë këtë cilësi.

 

I.G. Kush është Armand Sallabanda?

A.S. Jam diplomuar në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës. Më pas kam kryer  studime pas-universitare për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në disa vende në Europë, Azi dhe USA. Kam lindur në Tiranë, ku kalova fëmijërinë gjatë periudhës së fundit të komunizmit. Fotografia ka qenë një pasion i hershëm, më pëlqente që një foto arrinte të ndalonte kohën në një copë letër… Aktualisht jam fotograf profesionist dhe punoj për disa revista mode dhe aktualiteti. Në vitin 2011 kam marrë pjesë me disa nga fotot e mia në një ekspozitë të përbashkët me piktorin e shquar Shpend Bengu.

 

I.G. Ka qenë fotografia e parë e rastësishme? Çfarë ka pasur të veçantë?

A.S. Ka qenë dhe është një pasion i madh fotografia. Kam filluar të shkrep me film që në adoleshencë – ruaj akoma një aparat Zenith, prodhim i Gjermanisë Lindore. Shkrepja më së shumti peisazhe; kam disa foto akoma të Jugut të Shqipërisë. Pastaj, kur jetova një pjesë kohe në New York u thellova më seriozisht në këtë pasion dhe mësova teknikat e fotografimit. Bleva aparatin e parë dixhital dhe nisa të eksperimentoj. Subjektet e parë kanë qenë miqtë e mi. Me kalimin e kohës përmirësova aftësitë deri në momentin kur pata propozimin e parë për të punuar si fotograf në disa revista.

 

I.G. Cila është ose cilat janë punët e tua më të sukseshme dhe pse i konsideron të tilla?

A.S. Mbaj mend që ka qenë një mikesha ime teksa dilte nga pishina me flokë të lagur; e kam akoma në arkiv atë foto. Më pëlqente uji mbi lëkurë dhe shprehja e kënaqësisë në fytyrën e saj. Nuk ishte e rastësishme sepse atë foto e provova disa herë. Kjo përsa i përket fotografisë dixhitale. Me film kam shkrepur shumë në një nga udhëtimet e mia në Afrikë.

 

I.G. Çfarë kërkon të realizosh kur fotografon? Çfarë qëllimi, më saktë, ka arti yt?

A.S. Them se fotografia që bëj unë ka në themel atë çfarë është e bukur. Ky është qëllimi i artit në përgjithësi. Arti ka qëllim të na bëjë të mendojmë qoftë dhe për një çast se mund të ndryshojmë fatin tonë biologjik, natyrisht në mënyrë virtuale, na e kërkon sub-ndergjegjia një gjë të tillë, pra bëjmë diçka artistike edhe që e bukura dhe poezia të mos çrrënjosen përfundimisht nga kjo botë. Unë nuk mund të them se cilat janë fotografitë e mia më të mira – i përket publikut t’i gjykojë. Unë, me shijet e mia, natyrisht që kam ndër ‘to disa të preferuara. Megjithatë, e them shpesh nëpër intervista, fotoja më e bukur është ajo që nuk kam bërë akoma.

 

I.G. Cilat janë vështirësitë që ke hasur në fotografimin e sendeve, natyrës apo njerëzve të ndryshëm dhe çfarë të pëlqen të fotografosh dhe pse?

A.S. Mendoj që një fotograf duhet të jetë njeri kurioz. Dhe ajo që shkon përtej kësaj është një marrëdhënie që kemi të gjithë me kohën. S’besoj se ka ende një metodë për ta ndaluar, përveç rasteve kur jemi të dashuruar e na duket sikur koha ndalon (qesh).

 

I.G. Fotografia si art, dhe ti si artist, përmbushni padyshim një vend bosh në fushën e fotografisë bashkëkohore shqiptare. Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

A.S. Çdo subjekt apo zhanër ka vështirësitë dhe teknikat e veta. Mendoj që eksperienca është shkolla më e mirë. Me natyrën është disi më kollaj – natyrisht, ka sekretet e veta edhe lloji i panoramave natyrore! Me njerëzit është disi më e komplikuar. Tentoj të fotografoj atë që nuk duket. Ose, më mirë, mendoj se, edhe pse e stisur (e pozuar), një fotografi duhet të përcjellë emocione. Unë më së shumti fotografoj personazhe dhe modele. Në shumicën e rasteve subjekti im kryesor është një figurë femërore. Dhe, natyrisht, sensualiteti e feminiteti janë arma më e fuqishme e një femre. Në fotot e mia ato janë të lira dhe të pavaruara. Tentoj t’i fotografoj si të ishin Amazona, ose të paktën t’i glorifikoj si qenie që nuk kanë frikë të shprehin gjithë botën e tyre.

 

I.G. Çfarë veçantie kanë fotografitë e tua? Mendon t’i publikosh punët e tua më të mira ose t’i prezantosh në ekspozita shqiptare dhe ato botërore?

A.S. Fotografia shqiptare ka një histori të lavdishme deri në fund të luftës së dytë botërore. Me ardhjen e komunizmit dhe kjo formë arti u minimizua pa i lënë hapësira krijmtarisë së fotografëve. Pas viteve ‘90 rifilloi të merrte formë përsëri. Në ditët e sotme dhe me mundësitë që ofron fotografia dixhitale, ka një rritje të njerëzve që e ushtrojnë fotografinë në mënyrë amatore dhe profesionale. Mund të them që jemi në rrugë të mirë dhe fotografia shqiptare ka bërë hapa të mëdha. Plani im më i shpejtë (shpresoj këtë verë) është një ekspozitë personale ku do të përfshihen disa nga punët e mia më të mira.

 

I.G. Do të dëshiroje të shtoje diçka tjetër në fund të kësaj intervistes?

A.S. Jam përpjekur gjithnjë që fotografia ime të jetë disi më konceptuale, pavarësisht se mund të jetë dhe në një kontekst fashion apo komercial. Aktualisht, disa nga fotot e mia janë të publikuara dhe në faqe interneti si Vogue dhe Italia. Shpresoj që në të ardhmen t’i publikoj në një libër apo album. Natyrisht, janë të mirëpritura ekspozitat jashtë vendit…

 

I.G. Të falenderoj për kohën që i dedikove kësaj interviste. Shpresoj të intervistoj Armand Sallabandën përsëri në të ardhmen. Publiku, jam e sigurt, pret me interes ekspozimin e artit tënd, i cili jo vetëm paraqet femrën shqiptare në një aspekt modern, bashkëkohor dhe tejet të bukur, por edhe përcjell mesazhe ‘amazoniane’ duke treguar forcën dhe bukurinë e karakterit të saj. E, pra, ky është tregues i një kombi që duke respektuar gruan, femrën, nënën rrëfen jo vetëm mirësinë, zgjuarsinë dhe botëkuptimin e tij të gjerë, por edhe vlerësimin që ka për të bukurën, për ‘Amazonën’ Shqiptare.

A.S. Faleminderit dhe jam përherë i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve tuaja.