Armëpushim i kufizuar në dy qytete të Ukrainës

Mariupoli (Ukrainë), 6 mars 2022 – Forcat ruse do të respektojnë një armëpushim të përkohshëm të dielën në dy qytete të Ukrainës, tha një zyrtar në një nga dy rajonet separatiste pro-ruse të vendit, pasi një marrëveshje për të lejuar evakuimin e civilëve dështoi një ditë më parë për shkak të bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse.

Eduard Basurin, shefi i ushtrisë në Donetsk që kontrollohet nga separatistët, tha se korridoret e kalimit të sigurt për banorët e qytetit port të rrethuar të Mariupolit dhe qytetit të Volnovakhas, do të rihapen të dielën. Ai nuk tha për sa kohë dhe as nëse një armëpushim do të shoqëronte evakuimin.

Zyrtarët ukrainas konfirmuan se evakuimet nga Mariupoli do të ndodhin deri në orën 21 sipas kohës lokale.

Të shtunën zyrtarët ukrainas thanë se evakuimi u ndërpre sepse qyteti me 430,000 banorë mbeti nën sulmet e vazhdueshme të forcave ruse.

Presidenti rus, Vladimir Putin, fajësoi Ukrainën për dështimin dhe paralajmëroi se rezistenca e vazhdueshme e vendit që kur Rusia filloi agresionin ndaj fqinjit të saj ish-sovjetik më 24 shkurt, po e vë në rrezik të ardhmen e “shtetësisë së Ukrainës”.

Presidenti Putin foli edhe për sanksionet perëndimore që kanë gjymtuar ekonominë e Rusisë dhe kanë bërë që vlera e monedhës së saj të bjerë, duke i krahasuar ato me aktin e “shpalljes së luftës”.

Bashkë me retorikën gjithnjë e më të ashpër të Kremlinit, trupat ruse vazhduan bombardimin e qyteteve të rrethuara dhe numri i ukrainasve të detyruar të largohen nga vendi i tyre, u rrit në 1.4 milionë.

Natën e së shtunës, forcat ruse intensifikuan bombardimin e Mariupolit, ndërsa hodhën bomba të fuqishme në zonat e banuara të Chernihivit, një qytet në veri të Kievit, thanë zyrtarët ukrainas.

Evakuimet e së dielës u njoftuan së bashku me një raund të tretë bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës. Davyd Arakhamia, një anëtar i delegacionit ukrainas, tha se takimi do të zhvillohet të hënën, por nuk dha hollësi shtesë.

Numri i viktimave të konfliktit është vështirtë për t’u ditur. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se të paktën 351 civilë janë konfirmuar të vrarë që nga agresioni i shkurtit, por numri i saktë është mbase shumë më i lartë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*