Arratiset në Shqipëri një polic serb, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal

Podgoricë, 18 prill 2022 – Oficeri i policisë serbe Danilo Stojanoviq, i dyshuar si anëtar i grupit kriminal të Darko Shariqit, është arratisur nga Mali i Zi në Shqipëri, të dielën.

Stojanoviq ka dalë nga vetura të cilën po e drejtonte bashkudhëtari i tij V.R. dhe ka kaluar në këmbë në Shqipëri, pasi është ndaluar për kontroll nga policia kufitare malazeze në vendkalimin kufitar me Shqipërinë, Gërnçar.

“Pas një kontrolli të dokumenteve personale, kur zyrtarët e policisë e drejtuan automjetin në pikën e dytë të kontrollit kufitar, D.S. (Darko Stojanoviq) doli nga vetura dhe u arratis”, thuhet nënjoftimin e policisë malazeze.

Në njoftim thuhet se për Stojanoviqin nuk ka pasur asnjë urdhër arresti kur ka hyrë nga Serbia në Mal të Zi, më 14 prill, dhe as kur ka kaluar në Shqipëri, më 17 prill. Megjithatë, policia malazeze ka thënë se policinë e Serbisë e ka njoftuar për hyrjen e Stojanoviqit në Mal të Zi dhe se ka ndërmarrë veprime për të mësuar vendndodhjen e tij.

Danilo Stojanoviq është larguar nga Serbia më 14 prill, dy orë para se policia e Serbisë ka shkuar në banesën e tij për ta arrestuar. Në të njëjtën kohë është larguar nga Serbia dhe ka kaluar në Mal të Zi edhe Milutin Radovanoviq, gjithashtu zyrtar i policisë serbe i dyshuar si anëtar i grupit kriminal të Darko Shariqit.  

Danilo Stojanoviq dhe Milutin Radovanoviq dyshohen se janë pjesëtarë të grupit të krimit të organizuar të kryesuar nga bosi i dyshuar i drogës Darko Shariq, i cili u arrestua javën e kaluar, së bashku me disa anëtarë të tjerë të grupit, në një operacion të koordinuar nga EUROPOL dhe EUROJUST, në Serbi dhe në Kroaci.

(r.m.)

 

Comment

*