Arrestimi i shtetasit malazez në Kosovë shkakton tensione politike në Mal të Zi

Podgoricë, 2 korrik 2021 – Arrestimi në Kosovë i shtetasit malazias Risto Jovanoviq mund të thellojë krizën politike në Mal të Zi, e cila edhe ashtu është e tensionuar.

Për shkak të arrestimit të Jovanoviqit në Kosovë, më 30 qershor, para ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi protestuan dhjetëra qytetarë, për të tretën ditë. Protestuesit thane se do të radikalizojnë protestën “nëse Qeveria nuk bëhet më aktive lidhur me këtë rast dhe nëse Jovanoviq nuk lirohet”.

This image has an empty alt attribute; its file name is Proteste-kunder-arrestimit-te-Risto-Jovanoviqit-ne-Kosove_Podgorice.png

Më 30 qershor, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, i akuzoi kryeministrin Krivokapiq dhe ministrin e Jashtëm, Radulloviq, për “sjellje të turpshme” lidhur me rastin e Jovanoviqit.

Sipas kësaj partie, është e turpshme që Qeveria nuk e dënoi sjelljen e “banditëve që e rrëmbyen dhe e burgosën Risto Jovanoviqin”.

“Ata nuk guxojnë t’u flasin më partnerëve të tyre të rinj, me terroristë shqiptarë, të cilët, me qëllim që ta përkeqësojnë situatën, iu dhuruan vaksina dhe kush e di se sa herë ata e njohin shtetin e rremë të Kosovës”, tha Fronti Demokratik, përmes një deklarate.

Një prej udhëheqësve të Frontit Demokratik, njëherësh deputet i Malit të Zi, Millan Knezheviq, tha më 30 qershor se partia e tij do të organizojë protesta.

“Qeveria është e paaftë dhe nuk ka forcë e as vullnet që t’i rezistojë shtypjes që po i bëhet Jovanoviqit. Unë pres një reagim institucional nga Krivokapiq dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë, ne veçse kemi paralajmëruar mbajtjen e protestave para së ashtuquajturës Ambasadë të Kosovës”, tha ai.

Deputeti i Malit të Zi, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Frontit Demokratik, Vlladimir Dobriçanin, kërkoi që Qeveria t’i japë Kosovës një “ultimatum prej 24 orësh”.

“Unë i bëj thirrje kryeministrit dhe Qeverisë që të ndërpresë çdo komunikim dhe ta mbyllin kufirin me Kosovën, nëse Jovanoviq nuk lirohet menjëherë, si dhe të dëbojë ambasadorin e atij shteti fals dhe t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me atë shtet terrorist”, u shpreh ai.

Jovanoviq u arrestua më 28 qershor, në Gazimestan, gjatë shënimit të Vidovdanit, pr shkak se kishte brohoritur parulla me përmbajtje nacionaliste dhe kishte përdorur gjuhë që nxit urrejtje. Gjykata ia shqiptoi atij 30 ditë paraburgim, ndonëse mohoi pretendimet e prokurorisë.

Pas arrestimit të tij, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi tha se do të merrte masa për ta mbrojtur shtetasin e saj. Më 29 qershor, kryeministri Zdravko Krivokapiq njoftoi se diplomacia malazeze ishte përfshirë në rastin e Jovanoviqit. Ai tha se autoriteteve në Prishtinë u është kërkuar që të njoftonin përse është arrestuar Jovanovuq dhe që ai të lirohet menjëherë nëse nuk është fajtor për veprat që dyshohet.

Ministria e Punëve të Jashtme në Podgoricë njoftoi se kryediplomati malazias, Gjorgje Radulloviq, do të bisedojë lidhur me rastin e Jovanoviqit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, “në mënyrë që të shmanget zhvendosja e temës nga fusha e mbrojtjes ligjore për qytetarët tanë dhe të shmangen abuzimet dhe manipulimet e ndryshme politike për këtë rast”.

(r.m.)

Comment

*