Arrestohen 10 të dyshuar për ndërtime të kundërligjshme në Brezovicë

Prishtinë, 21 dhjetor 2021 – Dhjetë persona janë arrestuar të martën, gjatë opoeracionit policor ”Brezovica” që është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës.

Të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për lëshimin e kundërligjshëm të lejeve të ndërtimit në Brezovicë dhe në pjesë tjera të Parkut Kombëtar të Sharrit.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Bratisllav Nikoliq, ish-kryetar i Komunës së Shtërpcës deri para pak ditësh.

Përveç Nikoliqit, janë arrestuar edhe drejtori i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Urbanizimit në komunën e Shtërpcës, inspektorë komunal, pronarë të kompanive të ndërtimit dhe qytetarë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Prokuroria Themelore e Ferizajt bëri të ditur se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, dyshohet se ka përfituar rreth 1 milion euro për lejet e ndërtimit në Brezovicë të lëshuara kundërligjshëm.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku, tha se Nikoliq dhe të arrestuarit tjerë dyshohet se kanë marrë edhe vila, vetura dhe dhurata tjera në këmbim të lejeve të kundërligjshme për ndërtimin e vilave dhe objekteve tjera në Parkun Kombëtar të Sharrit.

“Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve”, tha Maloku.

Sipas tij, shumica e vilave dhe objekteve tjera në Brezovicë janë ndërtuar me leje të kundërligjshme.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se do të sekuestrohen përkohësisht të gjitha vilat dhe objektet tjera, nëse vërtetohet se janë ndërtuar pa leje apo me leje të lëshuara kundërligjshëm.

Agron Haziri, shef i krimeve të rënda në Policinë e Kosovës, tha se gjatë bastisjeve janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej mbi 61 mijë eurosh, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh dhe valuta të huaja. Të dyshuarve u janë sekuestruar edhe disa armë dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

Brezovica është pjesë e Parkut Nacional të Sharrit, një zonë shumë piktoreske, atraktive për vila. Pas përfundimit të luftës në Brezovicë janë ndërtuar pothuajse pa kurrfarë kriteresh vila, hotele dhe restorante. Dashamirët e natyrës kanë tërheqjur vazhdimisht vërejtjen për shkatërrimin e natyrës nga ndërtimet në këtë zonë.

Në Brezovicë kanë ndërtuar vila disa prej ish-drejtuesve më të lartë të shtetit dhe zyrtarë të lartë qeveritarë të Kosovës.

(r.m.)