Arrestohen dy persona dhe sekuestrohen 41 kg. kanabis në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Nikla”, ku si rezultat janë sekuestruar 41 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe janë arrestuar 2 shtetasit që e transportonin atë me qëllim shitjen e saj.

Të arrestuarit janë dy 40-vjeçarë dhe nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe i mjetit tip ”Volkswagen”në të cilin ata udhëtonin, u gjetën 4 thasë plastikë me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me peshë 41 kilogramë.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për shitjen e një sasie lënde narkotike nga 2 shtetas, specialistët  e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar  “Nikla”,  në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

M.B., 40 vjeç dhe G.T., 40 vjeç, të dy banues në Nikël.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra gjatë operacionit policor, në aksin rrugor Nikël-Tapizë, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjetit me të cilin dyshohej se transportohej lëndë narkotike.

Nga kontrolli fizik i personave të arrrestuar dhe i mjetit tip ”Volksëagen”në të cilin ata udhëtonin, u gjetën 4 thasë plastikë me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me peshë 41 kilogramë”, njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe 2 aparate celulare. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Top Channel