Tre personave të arrestuar iu sekuestrua 11.5 kg. kanabis që trafikonin në Maqedoninë e Veriut

Sekuestrohen 11 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa në Elbasan.

Operacioni policor i koduar “Rrajca 2021” ka çuar në pra nga tre persona të cilët tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po tentonin të trafikonin një sasi lënde narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër, për në Maqedoninë e Veriut, menjëherë kanë organizuar dhe zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit Policor Prrenjas, operacionin policor të koduar “Rrajca 2021”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit G. Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë” njoftoi policia.

Tre personat po lëviznin me automjet në fshatin Rrajcë-Sutaj kur u kapën nga policia.  Makina drejtohej nga shtetasi Genci Xhahysa, ndërsa shtetasit Engli Pjeçi dhe Ervin Velia ishin pasagjerë.

Gjatë kontrollit të këtij automjeti, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 11 kilogramë e 500 gramë, e destinuar për t’u trafikuar në Maqedoninë e Veriut. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe automjeti, si dhe 3 aparate celulare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve“, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.