Arrestohet në Dubai i shumëkërkuari Florenc Çapja, i dyshuar për dy vrasje

Tiranë, 29 maj 2021 – Ka përfunduar në prangat e policisë së Dubait, Florenc Çapja.

Operacioni për arrestimin e tij sipas burimeve të Panorama, është zhvilluar mbrëmjen e shkuar për llogari të Interpol Tirana.

Gjykata e Elbasanit ka caktuar ndaj masën e sigurisë së arrestit në mungesë për vrasje të dyfishtë të shtetasve Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir.

I riu, dyshohet se ka kryer të paktën dy vrasje si akt hakmarrjeje ndaj vrasjes së xhaxhait të tij, Sokol Çapja, vrasje e kryer në vitin 2005 po në Elbasan. 41-vjeçari është arrestuar në dy raste nga Policia e Shtetit për dy vrasje, një e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan dhe një tjetër e ndodhur në vitin 2015 në Itali.

Vrasja e ish-oficerit të policisë në Itali

Fadil Mema, ish-oficer i Policisë së Shtetit u vra në mars të vitit 2015 në Itali. 54-vjeçari, i cili prej kohësh punonte si shpërndarës gazetash u ekzekutua me gjashtë plumba pistole në sytë e bashkëshortes.

Dyshimet për këtë vrasje ranë mbi familje Çapja. Kjo pasi Memës, i cili ishte bërë atentat dhe në vitin 2006 kur ishte efektiv i Policisë Rrugore. Ai u qëllua në qytetin e Elbasanit dhe për këtë në atë kohë policia tha se kishte identifikuar si autor Florenc Çapjen. Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të efektivit të policisë, të cilët identifikuan edhe autorin. Fadil Mema u dërgua në spital dhe u mbijetoi plagëve të marra, ndërsa Florenc Çapja, dy orë pas ngjarjes, u prangos nga policia.

Florenc Çapja, nipi i Sokol Çapes, që sapo ishte kthyer nga Zvicra edhe pse i dyshuar kryesor, prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Familja Çapja akuzonte Memën si organizator të atentatit me Sokol Çapjen, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi.

33-¬vjeçari Sokol Çapja u ekzekutua në një atentat mafioz në vitin 2005 pranë hotel “Univers”, objekt në pronësi të viktimës. Sokol Çapja ishte një emër i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë, ndërsa pati dyshime se në vrasje ishte i përfshirë edhe ish¬-efektivi i policisë, Fadil Mema.

Vrasje e biznesmenit me arrest shtëpie

Në gusht të vitit 2012, Gentian Beqiri u ekzekutua në banesën e tij ndërsa ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Edhe pse ai ndodhej nën vëzhgimin e dy punonjësve të policisë, atentatorët arritën ta ekzutonin. Policia identifikoi si autor të ngjarjes Florenc Çapjen, i cili ishte në hasmëri me Gentianin.

Çapja arriti t’i shpëtonte Drejtësisë me pretendimin se ditën e ngjarjes kishte qenë në Ohër, gjë e cila vërtetohej dhe sistemi elektronik kufitar TIMS. Por, më pas rezultoi se vula ishte e falsifikuar. Vula në pasaportën e Çapjes u dërgua në laborator për ekspertim dhe sipas SHKB-së ekspertimi ka vërtetuar falsitetin e vulës. Një tjetër fakti ishte se, pas kërkesës për pamjet filmike nga kamerat e sigurisë rezultoi se “sistemi i kamerave ishte shkëputur për disa orë në për shkak të një defekti dhe pamje nuk disponohen”. Pavarësisht të gjitha këtyre, Çapja nuk morë dënim.

(Panorama.al)

Comment

*