Arrestohet nga SPAK ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka

Tiranë, 14 dhjetor 2021 – SPAK ka arrestuar sot ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Burime të “Panorama.al” bëjnë me dije se përveç ish-ministrit Koka, janë lëshuar urdhër-arreste edhe për persona të tjerë.

Koka ka shërbyer si ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama” gjatë viteve 2013-2017 dhe më pas ka qenë deputet deri në vitin 2021. Ai u rizgjodh deputet i Qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, por hoqi dorë nga mandati.

Koka është vënë nën hetim nga SPAK pas kallëzimit të bërë nga LSI për aferën e inceneratorëve.

Në kallëzimin e LSI theksohet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.

“Ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Nga një sipërfaqe 6 hektarë pa pagesë në Portëz, ka kaluar në një sipërfaqe 11.3 hektarë, sipërfaqe kjo që duhej të shpronësohej, duke i sjellë dëm ekonomik shtetit shqiptar në vlerën 46 milionë lekë të reja. Vepra penale: ‘Shpërdorim Detyre i ish-Ministrit Lefter Koka dhe Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi.

Tre ditë pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese të shërbimit. Pa verifikuar më parë kriteret e kualifikimit dhe pa marrë miratimin nga Ministria e Financave. Vepra Penale: ‘Shpërdorim Detyre’ dhe ‘Shkelje e Barazisë së Pjesëmarrësve në Tendera’.

Nga 20 muaj që parashikohej të ndërtohej impianti(Propozimi i Fituesit), me marrëveshje të firmosur nga Alqi Bllako, është zgjatur afati deri në 31 Mars 2021. Pra, me shumë se 5 vjet, duke bërë që të rrëzohej pretendimi i ngritur nga palët për situatën e emergjencës mjedisore”, thuhet në padinë e LSI.

(Panorama.al)