Arrestohet një 27-vjeçar në Dibër që çonte emigrantë klandestinë në Kosovë

Policia tha se transporti i paligjshëm i emigrantëve në Kosovë nga ky shtetas me banim në Fushë-Krujë pranë Tiranës, bëhej në këmbim të shpërblimit financiar

Knid Ndrenika

Policia në Shqipëri arrestoi një shtetas të moshës 27-vjeçare me akzuën e transportimit të emigrantëve të paligjshëm në Kosovë.

Policia e Dibrës njoftoi se ky ishte një rast tjetër i goditjes së veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit.

Specialistët e Hetimit Kundër Trafikut të Paligjshëm dhe të Narkotikëve në Dibër në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë gjithashtu në Dibër si dhe forcat “Shqiponja” e arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 27 vjeç.

Policia tha se transporti i paligjshëm i emigrantëve në Kosovë nga ky shtetas me banim në Fush-Krujë pranë Tiranës, bëhej në këmbim të shpërblimit financiar.

“Ky shtetas është kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Peshkopisë, në drejtim të Kukësit me mjetin tip ‘Jeep’, duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin në pikën e kalimit kufitar të Morinës, me destinacion më pas drejt vendeve të BE-së”-njoftoi policia.

Në operacion ndërkaq, u sekuestruan si prova materiale shuma monetare në euro, telefona celularë dhe automjeti që drejtohej nga shtetasi i arrestuar.

Hetimet vazhdojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale kurse materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.