Arrestohet një shofer kamioni pasi iu kapën barna dhe mijëra euro në Portin e Durrësit

Në kabinën e kamionit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës si dhe 10.500 euro të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar

Knid Ndrenika

Policia Kufitare në Portin Detar të Durrësit sekuestroi sasi barnash dhe kartmonedhash Euro në një operacion të kësj të diele.

Policia tha se goditi një tjetër rast të kontrabandës me barnat mjekësore dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

Barnat e sekuestruar nuk kishin dokumentacionin përkatës dhe shuma prej 10500 eurosh ishte e padeklaruar.

Mbajtësi i barnave dhe i eurove, shtetasi “A. M.”, 53 vjeç, banues në Durrës. u procedua penalisht në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor të Durrësit.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin Detar saktësuan se si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje në Shqipëri, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi “A. M.”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, në kabinën e kamionit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës si dhe 10.500 euro të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.

Ndërkaq, në vazhdën e veprimeve nga ekspertët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Durrësit, shoferi i kamionit u procedua penalisht për veprat penale “Kontrabandë me mallrat e licensuar” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.

Gjithashtu materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.