Arrestohet Prokurori i Sarandës, i dyshuar për korrupsion

Tiranë,19 qershor 2021 – Prokurori i Sarandës, Sali Hasa u arrestua të shtunën pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Hasa akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Nga burime hetimore mësohet se Prokurori Hasa dyshohet i përfshirë në rastin e pushimit të një çështjeje ndaj një personi që po hetohej për një plagosje. Lidhur me këtë hetim janë dhënë masat e arrestit me burg edhe për tre persona të tjerë, ndërsa dy persona hetohen në masa më të lehta sigurie.

Oficeri i policisë gjyqësore Napolon Hodaj si dhe Emiliano Mirani dhe Julian Zera akuzohen për “ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërsa ish eksperti mjeko-ligjor Hysen Korenica po hetohet nën masën e detyrimit me paraqitje, i akuzuar “për ekspertim të rremë” për të dëmtuarin dhe Elsona Papa, motra e personit që dyshohet se i është mbyllur çështja, hetohet në arrest shtëpie për “për ndikim të paligjshëm tek persona që ushtrojnë funksione publike”.

Provat e grumbulluara ndaj prokurorit, kryesisht përgjime, dolën tek po hetohej nga SPAK prej shkurtit të vitit 2020 një çështje për trafik narkotikësh.

Në këtë kuadër hetimesh u gjetën prova nga Prokuroria e Posaçme edhe për zyrtarin eklubit sportiv “Përmeti”, Bledar Hajredini dhe arbitrin e ndeshjeve të futbollit Qerim Ruçin, të cilën u arrestuan pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për “Paracaktim të rezultateve në garat sportive”.

(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)