Arrihet një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

 

Tel Aviv / Gaza, 20 maj 2021 – Izraeli dhe Hamasi do të ndërpresin zjarrin mes tyre duke filluar nga ora 2 e mëngjesit të ditës së premte.

Media izraelite njoftoi se Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka votuar njëzëri për një armëpushim “të ndërsjellë dhe të pakushtëzuar” për Gazën, të propozuar nga Egjipti.

Armëpushimi do të sillte ndalimin e mundshëm të luftimeve midis Izraelit dhe militantëve palestinezë, të cilat konsiderohet më të ashprat në disa dekada.

Njoftimet për armëpushim vijnë një ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i bëri thirrje Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të veprojë për qetësimin e situatës dhe pas deklaratës së përfaqësuesit politik të Hamasit, Moussa Abu Marzouk, i cili tha se besonte që armëpushimi do të arrihej “brenda një ose dy ditësh”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se të enjten ka folur në telefon me ministrin e Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi, të cilit ia ka përsëritur mesazhin se Shtetet e Bashkuara presin të shohin një “de-eskalim në rrugën drejt një armëpushimi” midis Izraelit dhe palestinezëve.

Të enjten, Hamasi ndërpreu për tetë orë sulmet me raketa ndaj Izraelit, por pastaj lansoi përsëri raketa ndaj vendbanimeve pranë kufirit me Gazën dhe në qytetin Beersheba.

Nga ana tjetër, Izraeli vazhdoi sulmet ajrore ndaj Gazës, duke deklaruar se synon të shkatërronte aftësitë e grupit militant islamik Hamas që të mos niste një konfrontim tjetër në të ardhmen.

Sulmet me raketa nga Hamasi dhe aleati i tij Xhihadi Islamik rifilluan pas një pauze tetë orëshe të enjten, ndërsa Izraeli vazhdoi bombardimet që tha se kishin për qëllim shkatërrimin e aftësive ushtarake të Hamasit dhe për të parandaluar një konfrontim të ardhshëm pas konfliktit aktual.

(r.m.)

Comment

*