Arrijnë në Kosovë 27 të mbijetuar të aksidentit në Kroaci

Prishtinë, 27 korrik 2021 – Të martën, në orët e vona të mbrëmjes kanë arritur në Kosovë 27 të mbijetuar të aksidentit tragjik në afërsi të Sllavonski Brodit, në Kroaci.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ata janë pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.

Tre liderët e shtetit u kanë shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik, kurse të lënduarve u kanë uruar shërim të shpejtë dhe i kanë siguruar se do ta kenë përkujdesjen institucionale të shtetit.

Presidentja Osmani e ka cilësuar aksidentin tragjik në Kroaci si dhimbje të madhe të Kosovës. 

“Në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty e humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme – mërgimtarët”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani u ka shprehur mirënjohje institucioneve shtetërore të Kroacisë për ndihmën e pakursyeshme që kanë dhënë për të lënduarit dhe udhëtarët tjerë të autobusit të aksidentuar si edhe për menaxhimin e situatës së krtijuar pas aksidentit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u shprehu ngushëllime familjarëve që i humbën të dashurit e tyre në aksidentin tragjik dhe u uroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë aksident.

“Institucionet e vendit do të jenë pranë jush për të përballuar bashkërisht këto momente të vështira për të gjithë ne”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri Kurti ka e ka cilësuar aksidentin tragjik të Sllavonski Brodit si dhimbje të madhe për gjithë popullin e Kosovës. Ai ka thënë se mërgimtarët shqiptarë kanë lidhje të fuqishme me atdheun dhe I numërojnë ditët deri në udhëtimin  e radhës për në atdhe.

“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, sepse maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk e solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Qeveria e Kurtit i ka siguruar familjet e viktimave dhe të lënduarit se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që t’ua lehtësojë sadopak dhimbjet dhe pasojat e aksidentit.

Kthimi në Kosovë i udhëtarëve të autobusit të aksidentuar në Kroaci është bërë në koordinim të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë. Qeveria e Kosovës e ka organizuar transportimin dhe përcjelljen e bashkatdhetarëve nga aeroporti deri te familjet e tyre.

Shumica e të kthyerve janë transportuar me automjete të familjarëve dhe të afërmve, kurse dy prej tyre janë transportuar me autoambulanca, për shkak të shqetësimeve shëndetësore që kanë pasur pas aterrimit të aeroplanit,në aeroport.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili është kthyer nga Kroacia me aeroplan bashkë me të mbijetuarit, ka treguar se nga Spitali Rajonal i Sllavonksi Brodit janë liruar 28 pacientë që kishin lëndime më të lehta, kurse 15 të tjerë vazhdojnë të trajtohen në Kroaci. Ai ka thënë se dy prej të lënduarve, të cilët janë në gjendje të rëndë, vazhdojnë të mbahen nën kujdesin intensiv, kurse njëri prej tyre është transportuar në Spitalin e Zagrebit për trajtim më të specializuar.

Ministri Vitia tha se katër prej të lënduarve në aksidentin e Sllavonski Brodit kanë kërkuar të kthehen në Gjermani dhe kthimi i tyre atje është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani.

Në aksidentin tragjik të Kroacisë e kanë humbur jetën dhjetë persona – nëntë udhëtarë dhe njëri prej shoferëve të autobusit. Policia dhe prokuroria kroate dyshojnë se shkaktar i aksidentit është shoferi iautobusit që ka mbiujetuar. Të martën, atij i është caktuar masa e sigurisë paraburgimprej 30 ditësh.

Ndërkaq, familjarët e viktimave dhe të lënduarve, në deklkaratat e tyrepër mediet në Kosovë, nuk kanë dashur ta fajësojnë shoferin. Pothuajse të gjithë e kanë pranuar aksidentin si një ngjarje tragjike qëmund të ndodh në komunikacion.

(r.m.)

Comment

*