Arrijnë në Kosovë trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci

Prishtinë, 28 korrik 2021 – Sot, rreth orës 13, arritën në Kosovë trupat e pajetë të viktimave të aksidentit të trafikut që ndodhi të dielën në Kroaci.

Karvani i automjeteve që bartnin arkivolet e viktimave udhëtoi nga Kroacia në Kosovë, përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Nga vendalimi kufitar në Vërmicë deri në Prizren, karvani u shoqërua nga Policia e Kosovës.

Arkivolet e viktimave u dërguan në morgun e Spitalit të Prizrenit. Ato do t’u dorëzohen familjarëve të të ndjerëve, të cilët kanë vendosur që varrimin e të dashurve të tyre ta bëjnë në vendbanimet e tyre.

Në aksidentin e rëndë të trafikut në autostradën A3, afër qytetit të Sllavonski Brodit, që ndodhi të dielën në mëngjes, e humbën jetën 10 udhëtarë të autobusit të linjës Frankfurt – Prishtinë. 43 të tjerë pësuan lëndime të lehta e të rënda.

Të martën në mbrëmje arritën në Kosovë 21 udhëtarë që e mbijetuan aksidentin, kurse 4 të tjerë kanë vendosur të kthehen në Gjermani.

15 udhëtarë të lënduar më rëndë vazhdojnë të trajtohen në në Spitalin Rajonal të Sllavonski Brodit. Dy prej tyre gjenden në kujdesin intensive, kurse një tjetër është dërguar për trajtim më të specializuar në Zagreb.

Në autobusin e aksidentuar gjendeshin 67 udhëtarë dhe dy shoferë. Njëri prej shoferëve vdiq në aksident, kurse tjetri u ndalua nga autoritetet kroate. Të martën atij iu caktua masa e sigurisë paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi nga prokuroria kroate konsiderohet i dyshuar për drejtim të papërgjegjshmet të automjetit që çoi në aksidentin tragjik.

Grupet e eksperëtëve pritet të dalin me vlerësimin përfundinmtar mbi shkaqet e aksidentit.

(r.m.)