Arrijnë në Ukrainë “ndihma vdekjeprurëse” ushtarake nga SHBA

Kiev, 22janar 2022 – Rreth 90 tonë të “ndihmës vdekjeprurëse” të Shteteve të Bashkuara ka arritur në Ukrainë, në kohën e tensioneve të larta që ka shkaktuar Rusia me grumbullimin e forcave ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën, raporton BBC.

Kjo është dërgesa e parë e pakos së ndihmës të miratuar nga ushtria amerikane për Ukrainën, ku përfshihen edhe municione për “mbrojtësit në vijën e parë” të frontit.

Kjo dërgesë arriti në Ukrainë pas vizitës nëKiev të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, këtë javë, ku paralajmëroi “përgjigje të ashpër ndaj Rusisë, nëse ajo e pushton Ukrainën.

Moska ka mohuar se ka plane për ta sulmuar apo pushtuar Ukrainën.

Presidenti amerikan Joe Biden, në dhjetor, e miratoi një pako të ndihmës së sigurisë në vlerë prej 200 milionë dollarësh.

Ambasada amerikane në Kiev tha se kjo dërgesë dëshmon “angazhimin e vendosur të SHBA-së ndaj të drejtës sovrane të Ukrainës për vetëmbrojtje”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të tillë për Forcat e Armatosura të Ukrainës në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial kundër agresionit rus”, tha Ambasada amerikane përmes një postimi në Facebook.

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, falënderoi SHBA-në për ndihmën.

Dërgesa me ndihma arriti disa orë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Blinken zhvilluan bisedime në përpjekje për të ulur mundësitë e zgjerimit të konfliktit në Ukrainë.

Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë aleanca ushtarake e NATO-s ka paralajmëruar se ka rrezik real për një konflikt të ri në Evropë, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën.

Moska mohon se po planifikon ta pushtojë Ukrainën, por presidenti rus Vladimir Putin, ka shtruar disa kërkesa për Perëndimin, të cilat, sipas tij, kanë të bëjnë me shqetësimet për sigurinë e Rusisë. Ndër të tjera, Putini ka kërkuar garanci  se Ukraina nuk do të pranohet në NATO dhe tërheqjen e armatimit të NATO-s nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Po ashtu, Putin kërkon që NATO të mos zhvillojë stërvitje ushtarake dhe të ndalojë së dërguari armë në Evropën Lindore.

Sipas Putinit, të gjitha këto veprime përbëjnë kërcënim direkt për sigurinë e Rusisë.

(REL)

Comment

*