Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e dënoi agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës

Nju Jork, 2 shkurt 2022 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të mërkurën me shumicë dërrmuese një rezolutë që e dënon Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës dhe kërkoi që Moska të ndalë luftimet dhe t’i tërheqë forcat e saj ushtarake nga Uklraina. Ky është një veprim që synon ta izolojë në aspektin diplomatik Rusinë në këtë organ të lartë botëror.

Rezoluta, e mbështetur prej 141 nga 193 vendet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i dha fund një seance të rrallë urgjente, të thirrur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Teksti i rezolutës “dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”. Sipas faqes së internetit të OKB-së, hera e fundit që Këshilli i Sigurimit të OKB-së thirri një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982.

Tridhjetë e pesë vende anëtare përfshirë Kinën abstenuan dhe pesë vende, përfshirë Rusinë, Sirinë dhe Bjellorusinë votuan kundër rezolutës. Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme nuk mund t’u vihet veto, por nga ana tjetër ato nuk janë ligjërisht të detyrueshme për t’u zbatuar, por shprehin vullnetin e komunitetit botëror.

(Zëri i Amerikës)