ASOCIACIONI I PASTËRT ETNIK I PAARSYESHËM, I PADREJTË, PËRÇARËS, I RREZIKSHËM DHE I PAPRANUESHËM

Çdo shtet ka të drejtë ti anullojë, ndryshojë dhe rinegociojë marrëveshjet e dëmshme.

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

Me planin e Ahtisaarit janë bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme të kushtëzuara nga bota demokratike për t’u pranuar pavarësia e Republikës së Kosovës. Të drejtat e pakicës serbe janë garantuar me kushtetutë. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka konfirmuar të drejtën e Kosovës për pavarësi pas gjenocidit serb mbi shqiptarët. Ky është fundi i bisedimeve për status të Kosovës, jo fillimi.

         Pakica serbe në Republikën e Kosovës i gëzon të gjitha të drejtat njerëzore dhe nacionale. Gëzon edhe privilegje të cilat nuk i ka asnjë pakicë kombëtare në vendet demokratike. Nuk është e rrezikuar fare. Përkundrazi, është populli shqiptar i Veriut të Kosovës i diskriminuar. Shumë prej tyre nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Janë policët dhe zyrtarët e shtetit të Kosovës të rrezikuar nga bandat serbe të infiltruara, kontrolluara dhe komanduara nga Serbia.

         Pakënaqësitë dhe pretendimet e serbëve të Kosovës se janë të rrezikuar duhet të adresohen vazhdimisht. Mund të krijohet Komision shtetëror me prezencë ndërkombëtare dhe të bisedohet me përfaqësuesit legjitim të tyre. Të vlerësohen informatat dhe faktet nga terreni për gjendjen e tyre, por edhe të shqiptarëve. Është e padrejtë dhe e panevojshme të lejohet Serbia të përzihet në punët e brëndshme të Kosovës. KFOR-i  dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë për detyrë që të mos lejojnë bllokimin e rrugëve me barrikada dhe pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

         Të njëjtat drejta ju takojnë edhe shqiptarëve në Trojet stërgjyshore të Luginës dhe Sanxhakut të okupuara nga Serbia. Edhe ata duhet të kërkojnë asociacion shqiptar dhe të protestojnë me metoda të ndryshme aktive paqësore, për t’i realizuar të drejtat e tyre njerëzore dhe nacionale. Reciprociteti në të gjitha fushat është çelësi i përballjes me Serbinë.

         Nuk ekziston asnjë arësye për krijimin e asociacioneve të pastërta etnike me kompetenca ekzekutive në shtetin multietnik të Kosovës. Asnjë! Kjo kërkesë është e pabazë, e padrejtë dhe krijon vetëm ndasi dhe përçarje në mes të nacionaliteteve të ndryshme. Vjen nga shteti agresiv racist serb me qëllim të destabilizimit të përhershëm dhe shkatërrimit të shtetit të Kosovës. Është kundër politikave dhe vlerave të shteteve demokratike perëndimore. Si e tillë është plotësisht e papranueshme.

         Marrëveshja e nënshkruar nga qeveritarët e shantazhuar dhe të korruptuar për Asociacion serb është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Marrëveshjet ndërkombëtare respektohen kur janë në dobi të dyja palëve. Nuk është e vërtetë se duhet të zbatohen me çdo kusht. Marrëveshjet e dëmëshme për shtetin mund dhe duhet të anullohen, ndryshohen dhe rinegociohen. Ka raste të tilla të panumërta nga praktika ndërkombëtare.

         Sa marrëveshje janë duke u respektuar nga shteti kriminal serb?!

         Pas agresionit rus në Ukrainë, vërehet angazhim i shtuar i Evropës me përkrahje të Amerikës, për të gjetur zgjidhje të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, të krijuar nga Serbia. Problemi është se ndërmjetësuesit pro-serb të Evropës e kanë filluar mbrapsht dhe po e vazhdojnë mbrapsht proçesin e dialogut. Në mendjet e tyre të turbulluara nga dëshira e madhe për ta larguar Serbinë nga Rusia, barazohet viktima me agresorin, barazohet e drejta e Kosovës për të ekzistuar me dëshirën e Serbisë për ta dominuar, barazohet huliganizmi serb i organizuar me të drejtën e Kosovës për tu mbrojtur.

         Fajtorët kryesor të mosnjohjes së Republikës së Kosovës dhe të vazhdimit të pafund të konfliktit me Serbinë janë:

– pesë shtetet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës me përkrahësit e tjerë të Serbisë në shumë shtete të Evropës;

– shtetet diktatoriale të Rusisë dhe Kinës;

 – kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me politikanët e shitur nga Trojet e tjera shqiptare, si Ali Ahmeti dhe Dritan Abazoviq;

– opozita destruktive e Kosovës dhe përkrahësit e tyre në media;

– si dhe grupet ekstremiste të besimeve të ndryshme fetare në të gjitha Trojet shqiptare.

         Me gjithë këta ndihmës në anën e saj, Serbia nuk ka arësye ta njeh pavarësinë e Kosovës. Këta e mbajnë me shpresë dhe ëndërra të kota se Kosova mund të shkatërrohet dhe dalja në detin Adriatik mund të realizohet. Prandaj deklarojnë haptas dhe me arrogancë se nuk do ta pranojnë kurrë pavarësinë. Për këtë gjë ardhmëria e Kosovës nuk bën të varet nga njohja serbe. Pjesëmarrja në dialog është e domosdoshme por nëse dialogu nuk ndryshohet do të dështojë sikurse ka ndodhur deri tani.

         Me Evropën duhet bashkëpunim politik dhe diplomatik, ballafaqim me fakte për standardet dhe vlerat e tyre të dyfishta. Me Amerikën konsulltim, bashkëpunim, dhe koordinim i përhershëm i veprimeve. Amerika i vlerëson faktet e vërteta dhe informatat e argumentuara. E drejta është në anën tonë. Pa Amerikën nuk mund të arrihet dhe as të zbatohet asgjë. Dialogun me Serbinë duhet kushtëzuar me pjesëmarrjen direkte të Amerikës. Përkrahja e dialogut të udhëhequr nga Evropa nuk mjafton.

          Dhe merrni vesh! Evropian dhe ju të tjerë. Kisha serbe me Akademinë e Shkencave kanë qenë, janë dhe do të jenë fabrikë për planifikimin e krimeve, ndërsa shteti serb aparat për ekzekutimin e tyre. Me asociacion ose pa te, me njohje të pavarësisë së Kosovës ose pa te, me hyrje në Unionin Evropian ose pa te, Serbia do të vazhdojë ta destabilizojë Ballkanin dhe mbarë Evropën. Ata me propagandën e tyre të errët mashtruese ia kanë arritë të krijojnë një komb të çmendur.

          Serbinë e ndal vetëm presioni i vërtetë ekonomik dhe diplomatik. Ajo duhet të dënohet, të denazifikohet dhe të detyrohet të zgjedhë midis botës demokratike perëndimore apo asaj diktatoriale lindore. Kosova e ka zgjedhur rrugën e vet demokratike perëndimore.

         Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani janë lider të aftë të kalibrit botërorë. Shihet se deri tashti e kanë zgjedhur rrugën e lavdisë. Nëse lëshojnë pe në dëm të shtetit dhe kombit do ta humbin përkrahjen popullore, sidomos ate të votuesve të pavarur në vend dhe diasporë.

          Thirrjet dhe përpjekjet e çoroditura për rrëzimin e qeverisë Kurti janë në interes të Serbisë. Ajo është qeveri e pakorruptuar e popullit shumicë të Kosovës. Nuk ka nevojë të ju nënshtrohet presioneve të jashtme dhe të brëndëshme për të bërë lëshime shtesë ndaj Serbisë. Nuk është koha e pranimit të marrëveshjeve të dëmëshme por të detyrueshme të Rambujesë dhe Ahtisaarit.

         Kosova sot është në pozitë shumë më të mirë se atëherë dhe shumë më të fortë se Serbia.

         Shteti i Kosovës duhet të zhvillohet dhe forcohet, Serbia të konfrontohet derisa bota perëndimore të vetëdijësohet. Kjo është rruga e vetme e lirisë dhe lavdisë kombëtare.  

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane

One Response to “ASOCIACIONI I PASTËRT ETNIK I PAARSYESHËM, I PADREJTË, PËRÇARËS, I RREZIKSHËM DHE I PAPRANUESHËM”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Kur ne Qeveri,parlament dhe gjithe subjektet e shtetit te Kosoves,serbet marrin pjese me shume se perqindja e struktues reale ekzistuese e popullesise,Pse Asociacioni te jete i paster etnik vetem me serbe?!.Patjeter realiteti ekzistues i struktures se popullesise ne keto hapesira kosovare ,bile edhe ai qe ishte para 20 vjetesh, duhet te jete pjese perperse e ketij asociacioni hibrid,i panatyrshem.Ky Asociacion eshte vetem fillim i nje shemtie qe do degjohet e shihet ne vazhdim te kohes dhe ngjarjeve per Kosoven e rreth Kosoves.